KryesoreLajme

Sveçlës i refuzohet vizita në Luginë: Serbia vazhdon me provokime

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të mërkurën ka njoftuar se Xhelal Sveçlës i është refuzuar vizita në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga Qeveria e Serbisë me arsyetimin se qëndrimet e ministrit të Brendshëm janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Kosovë dhe kundër paqes dhe stabilitetit.

Sveçla planifikonte që më 23 dhe 24 dhjetor të zhvillonte vizitë në komunat shqiptare në Serbi. Sipas njoftimit në Facebook, ministri do të takohej me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe kishte ndjekur të gjitha procedurat për një vizitë të tillë.

“Përkundër faktit që janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara për vizita të tilla zyrtare të përfaqësuesve qeveritarë dhe shtetërorë të Republikës së Kosovës në Serbi sipas Marrëveshjes së Brukselit për Vizita Zyrtare, Qeveria e Serbisë e ka refuzuar kërkesën për lejimin e kësaj vizite. Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Lexo më shumë  Ministrja Nagavci përuron çerdhen e re publike në Prizren

Sipas MPJ-së, Serbia në dy vjetët e fundit i ka refuzuar vazhdimisht vizitat e zyrtarëve të Kosovës.

“Qeveria e Serbisë gjatë këtyre dy viteve të fundit ka refuzuar rregullisht vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Republikës së Kosovës, posaçërisht kur bëhet fjalë për vizitat në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Përveç vizitave të ministrit Sveçla, janë refuzuar rregullisht edhe vizitat e ministrave të tjerë të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës, e fundit nga të cilat ka qenë vizita e Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Hajrulla Çeku, e paralajmëruar ditë më parë, më 19 dhjetor 2024. Për më tepër, edhe vizita e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, e paralajmëruar në fillim të këtij viti, respektivisht, më 27 shkurt 2024, për të marrë pjesë në Pritjen për Përvjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, ishte refuzuar pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare”, ka thënë MPJ-ja.

Lexo më shumë  Kurti: Kur shpallëm organizata terroriste 'Mbrojtjen Civile' dhe 'Brigadën e Veriut', ndërkombëtarët na kritikuan, më pak se tre muaj më vonë na ndodhi Banjska

Siç thotë kjo ministri, veprimet e tilla të Serbisë kanë për qëllim që të mbajnë tensionet në shkallë të lartë me Kosovën.

“Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”.

YouTube player