Sulme masive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, Zelensky i quan “johumane”
Rusia ka lansuar numër të madh të raketave balistike dhe lundruese ndaj qyteteve ukrainase të mërkurën, në ditën e Krishtlindjes, raporton “BBC”.
Ministri i Ukrainës i Energjisë, German Galushchenko, ka thënë se cak ishte sërish sistemi energjetik ukrainas.
“Armiku po kryen sërish sulm masiv në sistemin tonë energjetik”, tha Galushchenko.
Ai shtoi se janë vendosur kufizime për furnizim me rrymë, në mënyrë që të përballohen sulmet.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur “johumane” sulmet në ditën e Krishtlindjes.
“Çdo goditje masive ruse kërkon kohë për t’u përgatitur. Nuk është kurrë një vendim spontan. Është një zgjedhje që bëhet me vetëdije jo vetëm për objektivin, por edhe për kohën dhe datën. Sot, Putini zgjodhi me dashje Krishtlindjen për sulm. Çfarë mund të ishte më johumane? Më tepër se 70 raketa, duke përfshirë ato balistike dhe më shumë se njëqind dronë sulmues janë lansuar. Objektivat ishin sektori ynë energjetik. Ata vazhdojnë të luftojnë për të lënë Ukrainën pa rrymë. Sipas të dhënave preeliminare, mbrojtësit tanë kanë rrëzuar më shumë se 50 raketa dhe një pjesë të konsiderueshme të dronëve. Fatkeqësisht ka edhe goditje. Deri tash, ka ndërprerje të rrymës në disa rajone. Punonjësit në sektorin e energjisë po punojnë për ta rivendosur furnizimin me energji elektrike sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Zelensky.
Një numër i shpërthimeve ka dridhur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.
E kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov, ka thënë se qyteti është në “sulm masiv” me raketa.
Ai ka thënë se janë dëgjuar një seri të shpërthimeve dhe ka të lënduar.
Po ashtu janë dëmtuar edhe ndërtesa.
“Derisa rreziku ekziston – qëndroni në strehimore”, tha ai.
Kreu rajonal i Kharkivit, Oleh Syniehubov, tha se të paktën gjashtë janë lënduar në sulmin.
Në kryeqendër Kiev, njerëzit kanë kaluar mëngjesin e Krishtlindjes në stacionet e metros duke u strehuar.
Kompania më e madhe private energjetike e Ukrainës, DTEK, ka thënë se Rusia ka shkaktuar “dëme serioze” në infrastrukturë.
Ka njoftuar për kufizime me energji elektrike në Kiev, Dnipropetrovsk dhe Odesa.
DTEK tha se është sulmi i 13-të i madh ndaj sektorit energjetik të Ukrainës këtë vit.
“Rusia po tenton të shkaktërrojë sistemin energjetik të rajonit”, ka thënë kreu rajonal i Dnipropetrovskut, Sergiy Lysak.
Rruga Press