Paralajmërohen veprime konkrete lidhur me padinë për gjenocid ndaj Serbisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar për veprime konkrete së shpejti sa i përket padisë për gjenocid ndaj Serbisë.
Duke folur në një konferencë për media të hënën bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, me fokus në punën dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Haxhiu ka thënë se padia do të jetë një nga çështjet që do të adresohen në programin qeverisës.
“Fillimisht ka qenë në kuadër të zyrës së kryeministrit por më pas e kemi marrë ne këtë përgjegjësi. Është një proces shumë i ndjeshëm. Procesi është i klasifikuar dhe më vjen keq që nuk mund të jap më shumë se kaq. Po punojmë me ekspertë të çështjes, të huaj dhe vendor, dhe besoj që për një kohë jo të gjatë do të kemi veprime konkrete”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkojë, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka përmendur një varg projektesh që pritet të realizohen në fushën e kulturës.
“Tashmë jemi në fazën e hartimit të masterplanit të projektit të kompleksit ‘Adem Jashari’. Janë ndërmarrë disa veprime përfshirë themelimin e komisionit të ekspertëve, disa ndërhyrje emergjente që kanë qenë të domosdoshme”, është shprehur Çeku.
Ai po ashtu ka thënë se muzeu i Burgut të Prishtinës është pjesë e angazhimeve, teksa ka shtuar si ministri, janë në fazën e hartimit të projektit të restaurimit dhe muzeualizimit të muzeut të Prishtinës.
“Në kuadër të angazhimeve të Qeverisë është edhe ndërtimi i memorialeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Ne jemi në pritje të raportit nga UP-ja dhe në momentin që e pranojmë raportin ne do ta marrim vendimin për lokacionin dhe mënyrën e ndërtimit të këtij memoriali. Lokacioni do të jetë në Prishtinë, tashmë i kemi disa opsione”, ka deklaruar ai, duke shtuar se janë në procedura edhe për kompleksin memorial të Reçakut.
E ministrja Haxhiu, ka përmendur si një arritje institutin e krimeve të luftës.
“Ky institut do të vazhdoj dokumentimin e krimeve të luftës… Arritje tjetër në këtë drejtim është edhe miratimi i strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që secili rekomandim e veprim i përfshirë në këtë strategji të zbatohet. Nga të dhënat prej departamentit për hetimin e krimeve të luftës, janë 67 aktakuza, 62 raste ndaj 147 personave”, është shprehur ajo.
Ajo ka përmendur edhe drejtorinë për hetimin e krimeve të luftës në kuadër të Policisë, për të cilën ka thënë se tani i ka 36 zyrtarë policorë dhe se ky numër pritet të rritet në 41.
Rruga Press