KryesoreLajme

Zëvendësministrja Gashi: Diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë një shtyllë kyç për zhvillimin dhe identitetin tonë kombëtar

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, me ftesë të Agjencisë Kombëtare për Diasporë në Republikën e Shqipërisë, mori pjesë në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, i cili u mbajt në Tiranë.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj. Gashi theksoi rëndësinë e lidhjeve të ngushta dhe rolit unik të diasporës në përfaqësimin e zërit të bashkatdhetarëve në mënyrë të organizuar dhe të përkushtuar. Ajo vuri në dukje se pjesëtarët e diasporës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe fuqizimin e rrjetit të bashkatdhetarëve jashtë vendit.

“Diaspora shqiptare ka qenë gjithmonë një shtyllë kyç për zhvillimin dhe identitetin tonë kombëtar”, tha zëvendësministrja Gashi. Ajo i vlerësoi rilindasit si burime frymëzimi për ruajtjen e kulturës dhe të identitetit shqiptar, duke e potencuar dashurinë e palëkundur të diasporës ndaj atdheut. “Ky angazhim dhe kjo trashëgimi na frymëzojnë edhe sot, duke shërbyer si bazë për nisma të reja që synojnë t’i forcojnë marrëdhëniet mes diasporës dhe Kosovës”, shtoi ajo.

Lexo më shumë  Kosova bëhet me muze dokumentimi të krimeve të Serbisë

Para të pranishmëve, zëvendësministrja Gashi prezantoi disa nga iniciativat dhe projektet që lidhin diasporën me Kosovën, duke përfshirë: “Programin për Diplomaci Qytetare”, platformën “Shijo Kosovën”, iniciativën “Made in Kosova” (MiK), Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”, si dhe aktivitete të tjera që kanë luajtur rol të rëndësishëm në përfshirjen dhe angazhimin e diasporës nga fusha të ndryshme, duke promovuar vendin, kulturën dhe traditën shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Zëvendësministrja theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtyre aktiviteteve, duke nënvizuar se diaspora është një forcë për zhvillim dhe progres dhe një shtyllë që mbështet dhe frymëzon kombin tonë. “Kontributi i diasporës sonë është i larmishëm dhe i shumëfishtë. Prandaj, është përgjegjësi jona institucionale ta forcojmë këtë lidhje dhe të ndërtojmë ura komunikimi dhe bashkëpunimi, për të siguruar që potenciali i saj të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi ajo. Në mbyllje të fjalimit, zëvëndësministrja Gashi u bëri thirrje të pranishmëve që takimet e tilla të shërbejnë si platforma për ndërtimin e një të ardhmeje që nderon trashëgiminë tonë dhe forcon identitetin tonë kombëtar.

Lexo më shumë  Të çmendurit nga dashuria për asfaltin

Takimi u hap nga z. Mark Gjonaj. Përveç znj. Gashi, folës në takim ishin: z.Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm; znj. Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit dhe Sportit; z. Petrit Malaj, ministër i Financave; znj. Lira Pipa, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; z.Lavdrim Krrashi, kryetar i Nënkomisionit Parlamentar për Diasporën dhe Migracionin; z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjed dhe z. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave.

Rruga Press

YouTube player