Opinion/Aktualitet

Neoliberizimi po arrin kufirin e katastrofës. Na duhen kapërcime normative në fushën e të Drejtës*

Ku po shkon rendi ndërkombëtar? Ai i punëve, i funksionimit të shteteve dhe të drejtës? Disa pyetje që në fakt kërkojnë përgjigje imediate sepse janë në fakt një shkak për manifestimet e një globalizimi që po prodhon trauma. Në një intervistë për “Avvenire”, juristi i njohur francez. Alain Supiot shprehet se për të zgjidhur drejt rendin e ri juridik, nevojiten “kapërcime normative” të ngjashme me ato pas LIIB, në mënyrë që të mbyllet rruga e masave rregulluese që udhëhiqen nga fitimi dhe jo nga parimet e një demokracie funksionale.

***

Intervistoi: Simone Paliaga 

______________________

Çfarë do të thotë shprehja “sovraniteti i limitit”?

Idea frymëzohet nga Simone Weil, një ndër mendjet më të mëdha të shekullit të 20-të. Në librin e saj “Rrënja e parë”, shkruar në Londër pak para vdekjes, në vitin 1943, ajo kritikon frazën e Hitlerit për të cilin “forca sundon kudo dhe e vetme dominon dobësinë”. Ndaj kësaj fraze, që shpreh vrazhdë një bindje të ndarë gjerësisht në qytetërimin perëndimor, ajo i përgjigjet se “forca buto nuk është sovrane këtu poshtë”. Është për nga natyra e verbër dhe e papërcaktuar. Ajo që është sovrane këtu është përcaktimi, kufiri. Për fat të keq mesazhi i saj ka mbetur i padëgjuar. Rrymat kryesore të filozofisë politike, të sociologjisë dhe ekonomisë kanë reduktuar thuajse çdo lloj të raportit njerëzor në një raport dominimi duke mbetur të verbra përkundrjet burimeve të planetit. Krizat e shumëfishta që na godasin sot, na kujtojnë se njerëzit, të paaftë për vetëkontroll, janë të dënuar të kapin kufirin e tyre katastrofik, siç ndodhi me Hitlerin në bunkerin e tij më 30 prill 1945.

Pra Simone Weil e mposhti Carl Schmitt?

Schmitt, një jurist katolik dhe nazist, njësoj si Hitleri e konsideron pushtetin shenjë të sovranitetit. Kundërshtia me Weil bëhet më e qartë duke u kthyer pas në debatet mesjetare mbi gjithëfuqinë hynjnore. Për disa, kjo gjithëfuqi është absolute, aq sa nuk ekziston rend në botë që mund të mos abrogohet në çdo moment nga vullneti i Zotit. Për të tjerë, bëhet fjalë për një gjithëfuqi të rregulluar: Zoti u vetëkufizua për t’i lënë hapësirë krijimit të vet dhe lirisë njerëzore. Idea e vetëkontrollit të Zotit gjendet edhe në nocionin hebraik të tzimtzum. Sovran është ai që afirmon gjithëfuqinë e vullnetit të vet apo ai që zotëron në vetvete sensin e kufirit të vullnetit? Pyetja shtrohet qëkurse nocioni i sovranitetit u shekullarizua për t’u bërë, nga Bodin dhe Dekarti, atribut i mbretërve dhe pastaj i individëve.

Si ta brendësosh limitin? 

Në planin politik, përgjigja vjen nga Monteskie. “Që pushteti të mos abuzojë me pushtetin, pushteti duhet të frenojë pushtetin”, ndaj edhe Kushtetuta duhet të garantojë ndarjen e pushteteve. Në planin individual, brendësimi është objekti kryesor i edukimit që përcakton qenien njerëzore, pra shoqëron rritjen e tij si kopshtari që kujdeset për bimën deri sa të mos ketë më nevojë. Të brendësosh rregullat është një kusht për lirinë. Për të ushtruar lirinë e shprehjes, p.sh, duhet t’i nënshtrohesh së pari ligjit të një gjuhe. Më në përgjithësi, është Sovran, kush nuk ka nevojë për një padron për shkak se është zot i vetes.

Pse duhet të përballemi sot me problemin e kufirit?

Sepse neoliberizmi po arrin kufirin e vet të katastrofës. Në ndryshim nga liberalizmi klasik, që i vendos llogaritë e dobisë idividuale nën ombrellën e një ligji të përbashkët, neoliberizmi e vendos ligjin nën ombrellën e llogaritjeve të dobisë. Ligji nuk bazohet më mbi një ideal të drejtësisë së pranuar në mënyrë demokratike, por mbi një kërkim të efiçencës ekonomike në terma afatshkurtër. Nëse ka një leskion për t’u mësuar nga historia e së drejtës, është ai se një rend politik, ligji kryesor i të cilit është konkurenca e të gjithëve kundër të gjithëve, gjeneron domosdoshmërisht dhunë. E dinin këtë grekët e lashtë, që dënonin pleonezinë, akumulimin e pakufizuar të pasurive. Dhe Organizata Ndërombëtare e Punës, e konfirmon teksa pohon se “vetëm mbi bazën e drejtësisë sociale mund të vendoset një paqe që zgjat”. Të injorosh këtë vëzhgim, që tani duhet aplikuar edhe në drejtësinë mjedisore, na dënon me shokun e një realiteti, në të cilin implodimi financiar I 2008-ës dhe pandemia e tanishme globale, janë asgjë tjetër veçse manifestimet e tij.

Çfarë roli ka e Drejta?

Burimet e së Drejtës nuk duhen mbivlerësuar dhe as nënvlerësuar, burime të cilat Simone Weil i vendosi në një rajon të mesëm mes Qiellit të Drejtësisë dhe Ferrit të forcës së pakushtëzuar. Por është e qartë se duke promovuar law shopping, dhe një garë poshtë drejt çështjeve sociale dhe ekologjisë, globalizmi minon sundimin e ligjit. Duhet një kapërcim i ri normativ, që njësoj si pas Luftës, të promovojë rregulla të përshtatshme me sfidat e reja teknologjike, ekologjike dhe sociale.

Po qeverisja dixhitale?

E Drejta, demokracia, Shteti dhe i gjithë kuadri juridik janë të përfshirë nga rilindja e ëndrrës së vjetër perëndimore të harmonisë bazuar mbi llogarinë. Riaktivizuar më herët nga tejlorizmi dhe planifikimi sovjetik, ky projekt shkencist merr sot formën e qeverisjes përmes numrave nën lëkurën e globalizmit. Arsyeja e pushtetit nuk gjendet në një instancë sovrane që përshkruan shoqërinë, por në norma inherente të funksionimit të vet korrekt. Përparon kështu një ideal i ri normativ, që synon realizmin efikas të objektivave të matshëm, më tepër sesa bindjen ndaj ligjeve të drejta. Shtyrë nga revolucioni dixhital, imagjinari i ri institucional është ai i një shoqërie në të cilin e drejta ia lë vendin programit dhe normimi rregullimit. Por kur siguria nuk është e garantuar nga një ligj i barabartë për të gjithë, njerëzve nuk u mbetet zgjidhje tjetër veçse t’i betohen për besnikëri më të fortit. Duke radikalizuar aspiratën ndaj një pushteti jopersonal që karakterizonte imponimin e sundimit të ligjit, qeverisja me numra ngjiz në mënyrë paradoksale një botë të dominuar nga kthina besnikërie.

Çfarë është parimi i solidaritetit? A mundet që t’i vendosë një kufi globalizmit?

Në dallim nga sigurimi privat, që bazohet mbi përllogaritjet aktuariale të rrezikut(që konsideron pasojat financiare të një rreziku), një regjim solidariteti bazohet mbi përkatësinë ndaj një komuniteti, qoftë ai kombëtar, profesional, apo familjar. Anëtarët e këtij komuniteti me më shumë fat dhe më pak të ekspozuar ndaj rrezikut, kontribuojnë më shumë sesa ata me më pak fat apo më pak të ekspozuar, për të patur të njëjtat të drejta. Në dallim me asistecën apo mëshirën, solidariteti nuk e ndan botën mes atyre që dhurojnë pa marrë asgjë dhe atyre që marrin pa dhuruar. Të gjithë kontribuojnë sipas kapaciteteve të veta dhe marrin sipas nevojave. Duhet të ishte një mjet i fuqishëm për të kaluar nga një logjikë e e globalizimit, që vendos të gjithë në konkurencë me të gjithë, në një logjikë të ndërkombëtarizimit, pra të solidaritetit mes shteteve që respektojnë diversitetin e historive dhe kulturave të tyre. Kështu p.sh çështja e emigracionit nuk do të zgjidhet as nga ndërtimi i mureve, as nga abrogimi i kufijve, por nga solidariteti mes vendeve të veriut dhe jugut, në mënyrë që të gjithë të rinjtë afrikanë të mos jenë të detyruar të kërkojnë azil për të mund të shpresuar të jetojnë me një punë për të qenë.

*Përkthimi dhe titulli: Skerdilajd Zaimi /Marrë nga Respublica.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *