Opinion/Aktualitet

Non-paper i ri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor

Më 4 dhjetor 2024, portali i Sarajevës “Slobodna Bosna” publikoi tekstin e plotë të dokumentit të shoqëruar me artikullin me titull “Non-PAPER i ri për Ballkanin Perëndimor, drita e gjelbër nga Uashingtoni për rezultatin përfundimtar…”!
Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë e përktheu dhe e publikoi të plotë.

Nga Sadri Ramabaja

Në lidhje me këtë “Non- Paeper të ri”, në këtë analizë do të përpiqemi të nxjerrim ca konkluzione që kanë të bëjnë me autorësinë dhe mesazhet që pretendohet të përcillen e që kanë të bëjnë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmen e tij në NATO dhe BE.


Hyrje

Non-paper-i është një dokument diplomatik jozyrtar që paraqet një propozim, formulim, draft, ndryshim ose të ngjashme, me të cilat autori nuk dëshiron të identifikohet zyrtarisht.

Si rregull, përdoret për paraqitje joformale të qëndrimeve diplomatike për të parë – nëse këto pozicione “të ofruara” do të pranohen dhe për të përcaktuar qëndrimin maksimal të përbashkët të palëve të përfshira – në një mosmarrëveshje të caktuar politike.
Pra, pikërisht për shkak se ka të bëjë me çështje delikate politike, nuk përmenden emrat e autorëve të non-paper-it dhe mund të përkthehet edhe si ‘dokument pune’ në fjalorin diplomatik…

Në këtë analizë bëhet fjalë për një dokument të ardhur nga Uashingtoni.
Birimet e portalit boshnjak “Sllobodna Bosnja”, thuhet në hyrje të tekstit, pranë kreut të ri të diplomacisë amerikane konfirmuan se dokumenti ishte tashmë në tavolinën e senatorit republikan Marco Rubio nga Florida, i cili është emëruar nga presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump si Sekretarit të ri të Shtetit të SHBA.

Qëllimi i iniciativës është dhënia fund pretendimeve territoriale dhe konflikteve në Ballkanin Perëndimor dhe krijimi i mundësive për një kthesë përfundimtare drejt integrimit euroatlantik të të gjithë rajonit, si dhe largimi nga ndikimi rus dhe luftërat e mundshme, të cilat, herë pas here, kërcënojnë destabilizimin e rajonit.
Në kontekstin gjeopolitik, ky dokument duket se ka një synim të qartë – atë të integrimit të Ballkanit Perëndimor para së gjithash në kuadër të arkitekturës strategjike të SHBA-ve, respektivisht bërthamës së kësaj arkitekture që nënkupton sfera e interesit anglosakson.

Hipotezat

Non-paper-i i ri për Ballkanin Perëndimor [1] është një dokument jozyrtar që shpesh përdoret nga aktorët ndërkombëtarë për të nxitur diskutime dhe për të propozuar ide apo strategji në lidhje me çështje të ndjeshme politike, pa marrë një qëndrim zyrtar. Kohët e fundit, ka pasur zëra se një non-paper i tillë po qarkullon mbi proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), si dhe mbi çështje si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, reformat e brendshme dhe përshpejtimin e proceseve integruese.
Në non-paper-ët pararendës kishte tendencë të hapur të përdorej “letra e lakmuesit” përmes narrativës së një “Shqipërie të madhe” në publikun e gjerë, kishte synime të qarta që ta bëjnë idenë e “Botës Serbe” alias Serbisë së madhe, më të pranueshme për faktorët ndërkombëtarë.
Por çfarë po shpërfaqin de fakto autorët e non-paper-it të ri?

Çfarë përmban non-paper-i i ri?

Përmbajtja e një non-paper-i zakonisht nuk publikohet zyrtarisht, por përshkruhet në media përmes burimeve diplomatike. Siç theksuam në fillim, “Slobodna Bosna” ka publikuar një non-paper të ri lidhur me Ballkanin Perëndimor, i cili pretendohet se vjen nga Uashingtoni.
Dokumenti aktual shpërfaq synimin që kanë qendrat vendimmarrëse perendimore për përfundimin e konflikteve territoriale në Ballkanin Perendimor, rrjedhimisht ai nuk ka të bëjë me Serbin e Madhe. Madje fitohet përshtypja se esenca e këtij dokumenti të ri është ideja për një lloj distancimi të shteteve të Europës Juglindore alias Ballkanit Perednimor nga ndikimi rus, gjë që automatikisht, sipas dokumentin në fjalë, do të anuloheshin mundësitë për konflikte të mundshme, të cilat paralajmrohen përmes ushtrimit të terrorit shtetëror serb ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj [rasti i Banjës më 24 shtator 2024 dhe ky i fundit në kanalin e Ibrit e Lepencit].

Në non-paper-in e ri konkretisht thuhet: “Qëllimi i nismës është që të gjitha vendet e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura të jenë në NATO, Serbia dhe Kosova të njohin njëra-tjetrën, të shfuqizohet aplikimi i Deklaratës së Parlamentit Gjithëserb në BeH, dhe mundësia e futjes së Ligjit për Shtetësinë e Dyfishtë në Mal të Zi”.
Aktualisht, Mali i Zi ka një qëndrim rigjid sa i përket njohjes së dyshtetësisë. Sipas legjislacionit në fuqi, një qytetar i huaj që kërkon shtetësinë malazeze duhet të dorëzojë shtetësinë e tij të mëparshme. Kjo dispozitë ligjore përbën një pengesë për implementimin e propozimeve të partive pro-serbe dhe pro-ruse, të cilat kërkojnë që qytetarët malazezë me origjinë serbe të kenë të drejtën për të pasur shtetësi të dyfishtë, përfshirë atë të Serbisë.
Këto përpjekje vijnë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndryshuar balancën demografike dhe politike në Mal të Zi, duke forcuar ndjeshëm lidhjet mes komunitetit serb dhe Serbisë. Ky skenar krijon një bazë të favorshme për manipulimin politik dhe rritjen e ndikimit të Beogradit në Mal të Zi.

Lexo më shumë  Ata që nuk kënduan…

Statistikat demografike dëshmojnë ndryshime të thella në përbërjen etnike të Malit të Zi gjatë dekadave të fundit. Në censusin e fundit, 41.12% e popullsisë u deklarua si malazeze, ndërsa 33% si serbe—një rritje prej 4% krahasuar me censusin e vitit 2011.[2]
“Non-paper-i i ri” në thelb do t’i kontribuonte demokratizimit të Ballkanit Perendimor, duke ruajtur qartë kufijtë ekzistues – të njohur ndërkombëtarisht.

Le të kujtojmë faktin se, tash e katër vite jemi dëshmitarë të tendencave shqetësuese, që përmes shembullit të Malit të Zi, i cili është “alfa dhe omega e projektit të Serbisë së Madhe”, Serbia të dëshmojë në realitet mundësitë e saj për ekspansion edhe përmes luftës hibride, alias “qasjes së butë”, duke instaluar në Podgoricë qeverinë proserbe e proruse, pavarësisht se Mali I Zi është anëtar i NATO-s.
Ndërkaq përmes Kuvendit Gjithëserb të mbajtur në 07. 06.2024 në Beograd dhe aprovimit të Platformës politike si dokumenti bazë në shërbim të idesë së “Botës Serbe”, Serbia sfidoi diplomacinë Perednimore, duke e bërë të qartë qëllimin final të strategjisë serbe.

Përmbajtja dhe afatet e zbatimit të “non-paper-it të ri”

Sipas këtij dokumenti brenda vitit 2025 – nga prilli deri në tetor, është planifikuar të mbahet një konferencë e madhe ndërkombëtare e ideuar si “Iniciativë e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura” (Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina) të organizuara nën kujdesin e BE-së, NATO-s dhe SHBA-së. Sipas dokuentit në fjalë, në përmbyllje do të nënshkruheshin një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh – në të cilat shtetet pjesëmarrëse në konferencë do të angazhoheshin reciprokisht për sa vijon:

1. Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e plotë të marrëdhënieve sipas planit franko-gjermano-BE, që nënkupton njohjen de facto të Kosovës nga Serbia dhe formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në në veri të Kosovës, nga ana e Kosovës.

2. Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për shfuqizimin e “Deklaratës për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe Ardhmërinë e Përbashkët të Popullit Serb”, [pra Platformës politike të Kuvendit Gjithëserb – S.R.], duke respektuar tërësisht e me rrepëtsi Marrëveshjen e Dejtonit dhe sovranitetit politik të Bosnje-Hercegovinës.

Deklarata e lartpërmendur [për “Botën Serbe”] është në thelb një program i lëvizjeve politike me qëllimin përfundimtar të krijimit të një Serbie të madhe. [3] Domethënë, është vazhdimësi logjike e politikës së Millosheviqit “të gjithë serbët në një shtet”, të cilën ai e ka artikuluar dikur – në përputhje me udhëzimet nga Memorandumi i SANU-së [Akademis Serbe të Artit e Shkencës].

3. Marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi parasheh pezullimin e përhershëm të Ligjit për Shtetësinë e Dyfishtë të Malit të Zi, duke i krijuar de fakto mundësi një armate të qytetarëve që të rikthejnë edhe shtetësinë e Serbisë. Përmes këtij akti, automatikisht më shumë se 200.000 qytetarë serbë mund të merrnin nënshtetësinë malazeze, e përmes të cilës, pastaj, si votues, do të mund të bënin përmbysjen e vullnetit politik të qytetaërve shumicë të Malit të Zi, duke cënuar rëndë identitetin malazez dhe shtetin e Malit të Zi, duke qenë se ai ka vetëm rreth 633.000 banorë.

4. Marrëveshja e përbashkët për ruajtjen dhe respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial (Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi), dhe

5. Marrëveshja për paraqitjen e një kandidature të përbashkët për anëtarësim në NATO (Serbi, BeH dhe Kosova) me marrjen e të gjithë hapave dhe masave të nevojshme drejt një procesi të përshpejtuar të pranimit në BE. [4]


***
Nga Beogradi nuk vonoi dhe erdhi përgjegjia ndaj këtij dokumenti. Megjithatë, edhe Vuçiqi edhe Putini po pyesin për diçka konkrete. Në këtë kontekst, përgjigja e Aleksandar Vuçiqit ndaj ofertave që nënkupton non-paper-i ishte e shpejtë, e qartë dhe e pa ekuivok. Ai tha:

Lexo më shumë  Pse Giorgia Meloni e do Antonio Gramscin

“Përderisa unë jam president i Serbisë, nuk ka konferenca ndërkombëtare, nuk ka njohje të Kosovës dhe as anëtarësim në NATO”! Duke theksuar më pas: “Nuk do të ketë konferenca përderisa unë jam president dhe jam president i Serbisë, të paktën edhe për dy vjet e disa muaj.”!

Reagimet ndaj non-paper-it

  • Pozitive: Disa vende e shohin këtë si një shtysë të re për integrimin dhe zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht për ata që ndihen të lënë pas nga proceset e mëparshme.
  • Skeptike: Të tjerë janë të shqetësuar për idetë që mund të cenojnë integritetin territorial të vendeve, si dhe për një trajtim të pabarabartë mes vendeve të rajonit.
  • Kosova dhe Serbia: Nëse non-paper-i përfshin ide për njohje reciproke apo modele të reja për dialog, ka të ngjarë që kjo të nxisë debate të ashpra në të dyja vendet.

Përfundim

Këta non-paper-e shpesh mbeten të paqartë për publikun e gjerë, pasi nuk kanë karakter zyrtar. Megjithatë, ata japin një tregues të drejtimit që mund të ndjekë politika e BE-së apo aktorët ndërkombëtarë. Vlen të shihet se si do të zhvillohen diskutimet dhe nëse propozimet e përfshira do të gjejnë mbështetje konkrete.

Është e qartë se zgjidhja e të gjitha këtyre ndeshtrashave dhe mosmarrëveshjeve me dekada mes shteteve në Ballkanit Perendimor, përfshirë edhe idetë për rikthim tek lufta, është anëtarësimi në bllok në NATO dhe BE. Fryma e këtij dokumenti pretendon të jetë më gjithëpërfshirëse – kjo nënkupton aplikimin e plotë të zgjedhjeve demokratike, krijimin e një ambienti politik ku mund të selitet media e lirë, pavarësia e gjyqësorit dhe policisë, duke përfshirë edhe harmonizimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, që nënkupton pranimin e filozofisë politike dhe qeverisëse, e që nënkupton në parim zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve të rajonit.

Dokumenti në fjalë, me theks pika e parë e tij dhe ato në numër rendor katër e pesë, ofrojnë një vizion të qartë për zhvillimin shkëputjen e rajonit nga sfera e ndikimit rus dhe hapjen e mundësive reale për zhvillim ekonomik e digjital të Ballkanit Perëndimor, duke vendosur Shqipërinë dhe Kosovën në zemër të një arkitekture globale strategjike.

Ky projekt, si edhe vet paqja në rajon, varet tutje nga pozicioni i Serbisë. Reagimet e para nga Beogradi sikur flasin se Serbia dhe Rusia do ta refuzojnë këtë non-paper, siç është shprehur tashmë Vuçiq. Arsyet reale përse Beogradi ka reaguar shpejt-e-shpejt janë të natyrës ideologjike dhe politike: ai është i vetëdijshëm se pranimi i tij do të thotë heqje dorë nga projekti ambicioz i “Botës Serbe” alias Serbisë së Madhe.

Pasojat në rast se do të refuzohej ky dokument, sipas konkluzës së tij, do të ishin të papërballueshme: “Refuzimi i pjesëmarrjes së vendeve të Ballkanit Perendimor në Konferencën për Paqe dhe Bashkëpunim në BP dhe aderimi në të gjitha nismat, memorandumet dhe marrëveshjet e përmendura, do të tregonte qartë vullnetin e keq ndaj vendeve fqinje, ndaj rendit dhe sigurisë evropiane e paqes, dhe për komunitetin e gjerë evropian të shteteve. Ky refuzim do të çonte gjithashtu në përfundimin e negociatave për anëtarësimin në BE, mos-anëtarësimin në Marrëveshjen Shengen, tërheqjen e investimeve të huaja, sanksionet ekonomike dhe izolimin politik dhe ekonomik”. [5]

Si përfundim mund të nënvizojmë se, në qarqet diplomatike tashmë nuk ka dilema se “non-paper-i i parë (2021] krejtësisht proserb, ishte hartuar në “zyrën e Vuçiqit apo në një nga kabinetet e Moskës”, dhe ishte lëshuar në opinion nga kryeministri i atëhershëm slloven, Janez Jansha.

Ndërkaq nëse gjykojmë bazuar në përmbajtjen dhe posaqërisht tek fryma e tij, “no-paper-i i dytë (properëndimor)”, në mediat kroate [6] gjykohet se duhet të jetë hartuar nga elita boshnjake me prapavijë të fuqishme politiko-fetare, por gjithësesi e mbështetur nga disa qarqe nga perëndimi.
__________________________

1. https://www.slobodna-bosna.ba/vijest/388593/ekskluzivno_novi_non_paper_za_zapadni_balkan_zeleno_svjetlo_iz_washingtona_za_konachmi_rasplet.html).

Shih variantin në shqip: [https://ishgj.net/aktualiteti/ekskluzive-non-paper-i-ri-per-ballkanin-perendimor-drite-e-gjelbert-nga-uashingtoni-per-rezultatin-perfundimtar/]
2. Guakuç KUÇI: https://octopusinstitute.org/
“BALLKANI PERËNDIMOR NË KRYQËZIM: NJË FRONT I VJETËR LUFTE NË KOMPOZICIONET E REJA GJEOPOLITIKE

3. https://ishgj.net/aktualiteti/ekskluzive-non-paper-i-ri-per-ballkanin-perendimor-drite-e-gjelbert-nga-uashingtoni-per-rezultatin-perfundimtar/

4. https://www.geopolitika.news/analize/drugi-non-paper-za-rasplet-na-zapadnom-balkanu/

5. https://www.geopolitika.news/analize/drugi-non-paper-za-rasplet-na-zapadnom-balkanu/

6. Po aty.

Rruga Press

YouTube player