“Qeverisja Digjitale”, Kurti: Nismë ambicioze për të fuqizuar shërbimet publike
Mbi 18 milionë euro është kostoja e projektit të “Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve”, i financuar nga Banka Botërore, i cili synon të rrisë cilësinë, qasjen dhe efikasitetin e shërbimeve administrative publike në Kosovë përmes transformimit digjital.
Në lansimin e projektit të enjten, u tha se projekti paraqet një hap të rëndësishëm përpara në drejtim të modernizimit të qeverisjes dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Kjo ngjarje lansuese shënon fillimin zyrtar të zbatimit të projektit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo nismë me buxhet prej 18 milionë eurosh synon që t’i japë jo vetëm shtytje avancimit të qeverisjes digjitale, por krijon sipas tij qasjen në administratën publike për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
“Projekti i Forcimit të Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve të cilën po e emërtojmë si ‘Kosova digjitale’ është nismë ambicioze për të fuqizuar shërbimet publike dhe për të ndërtuar një qeveri të fuqizuar për qytetarët tanë. ‘Kosova digjitale’ është më shumë se një projekt, është vizion dhe synim i yni bashkërisht. Kjo nismë me buxhet prej 18 milionë eurosh synon që t’i jap jo vetëm shtytje avancimit të qeverisjes digjitale, por gjithashtu krijon qasjen në administratën publike për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, ka thënë Kurti
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky projekt është përafruar në mënyrë strategjike me agjendën digjitale Kosova 2030.
“Ky projekt është i rëndësishëm dhe është mundësuar falë mbështetjes së Bankës Botërore. Ky projekt është i rëndësishëm se shënon një pikë kthese drejt transformimit digjital, duke hapur rrugë drejt një të ardhme ku teknologjia fuqizon qytetarët dhe krijon një shoqëri më gjithëpërfshirëse. Kjo është pjesë përbërëse e projektit tonë kombëtar për një Kosovë digjitale më të avancuar. Projekti do të zbatojë pjesë kyçe të strategjisë së i-qeverisjes dhe është e përafruar në mënyrë strategjike me agjendën digjitale Kosova 2030”, u shpreh Sveçla. /EO
Rruga Press