La Liga, tani më i paguari është një… trajner
Duke bërë llogaritë e trofeve të palmaresit europian, në 11 vitet e fundit futbolli kontinental është dominuar nga La Liga.
Nga 2011 deri në 2021-in, Championsi ka përfunduar 6 herë në Spanjë, e fituar 4 herë nga Reali dhe 2 nga Barcelona, dhe po kaq herë edhe Europa League, me 4 Kupa për Sevilla-n dhe 2 për Atleticon e Madridit. Kampionati spanjoll edhe pse shpesh transformohet në një luftë dyshe mes Realit dhe Barcelonës me përjashtim të Atleticos sezonin e kaluar, ka tërhequr në mënyrë konstante kampionë dhe të ardhura. Por ai që deri në 30 qershor ishte lojtari më i paguar në botë, Leo Messi nuk është më i federuari i Barcelonës, dhe edhe i dyti, Cristiano Ronaldo prej disa vitesh luan në Serie A.
Me largimin e Leo Mesit, në Spanjë vihet re një rast unik, tanimë më i paguari i gjithë kampionatit nuk është një futbollist, por një trajner. E pabesueshme por e vërtetë, pasi siç shpjegojnë mediat spanjolle, në klasifikimin e pagave më të larta të kampionatit iberik, në krye qëndron aktualisht Diego Pablo Simeone, që me rinovimin e firmosur me Atleticon e Madridit, fiton jo pak, por 24 milionë euro në sezon. Një shifër kjo që e bën trajnerin më të paguar në botë, me 4 milionë euro më shumë nga sa fiton Guardiola te Manchester City.
Në momentin që Messi vendosi të braktiste La Ligën, është Simeoni që udhëheq listën e më të paguarve, para të gjithë futbollistëve që luajnë në Spanjë, përfshirë këtu Gareth Bale, që me pagën e tij prej 15 milionë eurosh në sezon, ishte për ca kohë lojtari më i pasur në botë që ishte jashtë grupit. Duhet përfshirë edhe Griezmann që në sezonin e tij të parë me Barcelonën, atë 2019-2020 fitonte 18 milionë euro në sezon, dhe që sipas kontratës së tij në rritje mund të arrijë deri në 23 milion pas ndonjë vit. Me lamtumirën e Messit, përmbysen rolet, pasi zakonisht janë lojtarët ata që paguhen më shumë se trajnerët, ndoshta edhe për këtë arsye, mund të thuhet se lamtumira e Messit nga Barcelona, është një revolucion në futboll.
Rruga Press