KryesoreLajme

Anketa/ 85% e qytetarëve në Shqipëri besojnë se burimet shtetërore keqpërdoren për qëllime zgjedhore

Një anketim i organizatës “Qëndresa Qytetare” nxori në pah se një përqindje e madhe qytetarëve besojnë se burimet shtetërore keqpërdoren për qëllime zgjedhore, duke ndikuar kështu edhe në rezultatin final të zgjedhjeve.

BIRN

Një anketim i realizuar nga organizata “Qëndresa Qytetare” me 720 qytetarë në gjashtë bashki të vendit nxori në pah perceptimin mbi përdormin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale nga zyrtarët shtetërorë shqiptarë.

“Nga analizimi i të dhënave rezulton se një shumicë dërrmuese prej  78.1% e qytetarëve të anketuar pohojnë se zyrtarët publikë përdorin burimet shtetërore për qëllime  elektorale”, thuhet në raport.

Përdorimi i burimeve publike për mbështetje politike gjatë fushatave elektorale ndalohet me ligj nga Neni 88 i Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, por zbatimi i këtij ligji mbetet sfidë me vete.

Lexo më shumë  BeH-ja paralajmëron aktivizimin e rezervës së Forcave të Armatosura

Keqpërdormimi i aseteve shtetërore në zgjedhje gjithashtu evidentohet në çdo raport të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, por rezultatet tregojnë se vetë zyrtarët nuk po marrin masa për ta ndryshuar këtë fenomen.

Nga ana tjetër, qytetarët e anketuar mendojnë se ky keqpërdorim ka efektet të drejtpërdrejta në rezultatet e votimeve.

“84.5% e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se përdorimi i aseteve shtetërore në zgjedhje ka efekt vendimtar në rezultatin zgjedhor,” thekson raporti.

Shumica e të anketuarve, rreth 65.9%, e konsiderojnë këtë përdorim si të padrejtë dhe të keqpërdorur, teksa vetëm 26% e të intervistuarve e shohin atë si normale dhe të drejtë.

Disa prej formave më të përhapura të përdorimit të burimeve shtetërore janë ato të angazhimit të nëpunësve civilë në fushata zgjedhore, përdorimin e fondeve publike për aktivitete elektorale, si edhe përdorimi i objekteve dhe infrastrukturës publike.

Lexo më shumë  Dështon mbledhja e KQZ-së, opozita bojkoton shtyrjen e afatit për regjistrimin e mërgatës për votim

“Nga analizimi i të dhënave, rezulton se godinat e shkollave dhe universiteteve përdoren për takime elektorale dhe se presioni mbi administratën është i madh për të marrë pjesë në mitingje dhe votime”, citon studimi i Qëndresës Qytetare.

Raporti më tej evidenton se përdorimi i objekteve publike, si ndërtesat apo mjetet e institucioneve për fushata elektorale është raportuar nga 54.3% e  qytetarëve të anketuar, ndërsa 44.9% kanë vërejtur përdorimin e infrastrukturës publike në funksion të fushatave elektorale, si nga partia që ka pushtetin qendror dhe nga forca politike që ka pushtetin lokal. Gjithashtu 82.8% e të intervistuarve raportojnë se kanë vërejtur ndryshime në sjellje dhe në cilësinë e shërbimeve gjatë periudhës zgjedhore.

Rruga Press

YouTube player