KryesoreLajme

Një muaj paraburgim të dyshuarit për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit

Një muaj paraburgim i është caktuar të pandehurit Jovan Viqentijeviq, i dyshuar për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin-Potokut.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ai dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”

Gjykata tha se ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është adekuate dhe e domosdoshme “sepse nëse i pandehuri J.V. lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke marrë parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale”.

Gjykata ka përmendur edhe faktin se ai është shtetas i Serbisë dhe “lehtë mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale.

Lexo më shumë  Ministria e Jashtme i kërkon bashkësisë ndërkombëtare ta sanksionojë Serbinë për sulmin në Ibër-Lepenc

“Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale, mund të ndikojë në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet tutje në vendim.

Avokati i tij, Nebojsha Vllajiq, ka thënë para mediave se i mbrojturi i tij ka treguar për lëvizjet e tij në ditën kritike dhe se nuk ka lidhje me sulmin terrorist në Zubin-Potok.

Vllajiq paraprakisht u shpreh se s’ka arsye t’i caktohej masa e paraburgimit, derisa e pranoi se i janë gjetur armët në shtëpi, por që ato sipas tij nuk ndërlidhen me sulmin.

Lexo më shumë  Ministri Maqedonci pjesëmarrës në konferencën e ‘Kartës së Adriatikut’

“Ai dyshohet se është përgjegjës për sulmin ndaj rendit kushtetues duke shkatërruar objekte infrastrukturore, lidhur me terrorizmin dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe municionit. I pandehuri ka shpjeguar lëvizjen e tij gjatë asaj kohe kritike që nuk ka lidhje me vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe kjo duhet të merret parasysh. Ne presim vendimin e gjykatës në lidhje me paraburgimin në kohën më të shkurtër të mundshme, në një ose dy orë”, ka thënë Vllajiq.

Për sulmin në veri, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë të dyshuar. Ditë më parë një tjetër i dyshuar është dërguar në paraburgim.

Tetë të tjerë janë liruar./Ksp

Rruga Press

YouTube player