Lajme

Deputeti i LDK-së tallet me presidentin Ibrahim Rugova në seancën e Kuvendit

Një episod i shëmtuar ka ndodhur sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila ishte thirrur nga deputetët e opozitës në mënyrë që të diskutohej rreth qeverisjes 4-vjeçare të kryeministrit Kurti.

Ndër deputetët që morën fjalën gjatë kësaj seance ishte Haxhi Avdyli nga partia Guxo, pjesë e koalicionit të shumicës në Kuvend.

Në nisje të fjalës të tij, deputeti Avdyli tha se fjalimin do ta nisë ndryshe, “meqenëse deputetes Hykmete Bajrami i pengoi përmendja e ditëlindjes së presidentit Ibrahim Rugova nga ministri Faton Peci.”

“Dua t’i tregoj që pak pa nisur kjo seancë, bashkë me ministrin Faton Peci dhe me aktivistë të tjerë ishim te varri i presidentit Rugova për të nderuar jetën dhe veprën e tij, që e ka bërë në shërbim të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha deputeti Haxhi Avdyli.

Lexo më shumë  Qeveria miraton nismat për amendamentet e marrëveshjeve IPA me Bashkimin Evropian

Rruga Press mëson se ndërkohë që deputeti i partisë Guxo po fliste mbi kontributin e presidentit Rugova, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj larg mikrofonit dhe duke bërë zhurmuesin, ndërhyri duke hedhur fjalë në mënyrë tallëse dhe përçmuese ndaj presidentit Ibrahim Rugova.

Kur deputeti Avdyli tha se kishin qenë te varri i presidentit Rugova për të nderuar jetën dhe veprën e tij, deputeti i LDK-së Armend Zemaj në mënyrë tallëse tha “Rahmet i pastë shpirti. A fole naj send me të?”. Këtë ai e tha jashtë kamerës dhe mikrofonit, por në prani të deputetëve të tjerë të LDK-së, të cilët nuk u dukën të shqetësuar nga ky përçmim i deputetit të partisë së tyre.

Lexo më shumë  Kurti i kërkon Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë

Kjo frymë e përçmimit dhe talljes me figurën e Ibrahim Rugovës duket sikur po merr gjithnjë e më shumë hapësirë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në fushata zgjedhore kjo parti vazhdon të kërkojë vota në emër të figurës dhe veprës së Rugovës, edhe pse me sa duket deputetët e LDK-së nuk kanë respekt dhe konsideratë për të siç thonë në publik.

Më poshtë gjeni fjalën e deputetit Haxhi Avdyli në Kuvend, i cili vazhdoi me fjalimin e tij pavarësisht ndërhyrjeve të deputetit të LDK-së Armend Zemaj:

Rruga Press

YouTube player