Kurti: qëndroj para jush sot me krenari dhe vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë që ka qenë me plot të arritura e më shumë sfida
Kryeministri Ablin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se është krenar për katër vjetët e qeverisës së tij.
Në debatin e thirrur nga AAK-ja, Kurti ka thënë se ky katërvjeçar është i mbushur me plotë të arritura.
“Unë qëndroj para jush sot me krenari dhe vetëbesim mbi këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë që ka qenë i mbushur me plot të arritura e më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar”, ka deklaruar Kurti. Ai ka thënë se ekonomia ka shënuar rritjen më të madhe dhe njëkohësisht më solide.
“Në këto katër vjet kemi pasur mesatarisht rritje prej 6.36 për qind të bruto produktit vendor”, është shprehur Kurti, suke shtuar se asnjëri nga këto katër vjet nuk ka pasur rritje reale nën 4 për qind, pasi rritjes t’i hiqet inflacioni.
Ai ka thënë se në këtë katërvjeçar e kanë ulur borxhin publik në vlerën prej 17 për qind.
Sipas tij në këto katër vjet papunësia ka rënë nga 25.8 për qind në 10 për qind. Sfidë në këtë aspekt ka thënë se mbetet aktivizimi i grave në tregun e punës.
“Kemi papunësi të zvogëluar sepse kemi punësim të shtuar”, është shprehur Kurti.
Ai ka folur edhe për mbylljen e strukturave paralele në veri. “Janë mbyllur shërbimet ilegale në komunat veriore, i kemi eliminuar ndikimin e organizatave terroriste, por kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale atje … kemi shtruar rrugë edhe në komunat në veri, gjithnjë ma shume qytetarë serbë po bashkëpunojmë ne institucionet e Kosovës”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se e di që janë kritikuar që nuk ka njohje të reja, por ka theksuar se nuk e kanë premtuar këtë në fushatë. “Ne kemi premtuar punësim e drejtësi”, është shprehur ndër të tjera Kurti.
Rruga Press