KryesoreLajme

Hoti: Serbia për ta zvarritur marrëveshjen për të zhdukurit po tenton ta përfshijë UNMIK-un

Kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se Serbia, me qëllim që të zvarrisë procesin e punës së komisionit për të zhdukurit, ka propozuar një draft-dokument në të cilin ka bërë përpjekje që ta përfshijë UNMIK-un në këtë çështje.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten, Hoti ka thënë se kjo s’është pranuar nga Kosova dhe se ai mendon që Serbia po vepron kështu qëllimisht që ta zvarrisë procesin. Ai është ankuar edhe në Bashkimin Evropian që po lejon veprime të tilla nga Serbia, edhe më shumë se një vit prej arritjes së Deklaratës për të Zhdukurit mes dy shteteve.

“BE-ja s’mund të them se po i përkrah, por s’po bën presion të mjaftueshëm ndaj Serbisë dhe jemi në fazë ku po flasim ende për një draft-dokument të hartimit të komisionit të përbashkët në të cilin Serbisë tani i ka ra në mend që duhet të fusim edhe UNMIK-un si pjesë të Kosovës e do të duhet që të formojnë aneks dokument që qartësohet se komisioni i përbashkët s’ka rol mbi mekanizmat aktualë, por mbështetës siç e quajnë ata. Kjo për mua është humbje kohe dhe këtë po e lejon Brukseli”, ka thënë Hoti. Ai ka thënë se një gjë e tillë s’do të pranohet kurrë nga Kosova. Ndërsa te Brukseli është ankuar se pavarësisht se është ndërmjetës, sipas, tij duhet të ndërhyjë kur ka raste të tilla.
Hoti ka thënë se BE-ja “s’po është mjaftueshëm e zëshme që t’i tregojë Serbisë se po jeton në një paralele tjetër të botës e jo atë që jetojmë ne sot”.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Ai ka thënë se në takimin e fundit të kryenegociatorëve Kosova e ka bërë të qartë se një draft i tillë është i papranueshëm, ndërsa Serbia ka thënë se nëse s’pranohet, atëherë s’ka çka të diskutohet. 
Tek është ankuar për mosnisje të zbatimit të marrëveshjes, Hoti ka thënë se kjo çështje duhet të përfshihet në takimin e ardhshëm në dialog.

Sa i përket gërmimeve të fundit dhe gjetjes së disa mbetjeve në Suhodoll të Mitrovicës, Hoti ka thënë se duhet pritur rezultatet e ADN-së për të vërtetuar dyshimet.

Ai është ankuar se Serbia nuk po kryen punën e saj sipas marrëveshjes. “Nëse flasim për Serbinë, është sikur të mos flasim hiq”, ka thënë Hoti që ka shtuar se duke parë situatën aktuale, pret rënie të aktiviteteve në vitet e ardhshme.

YouTube player
YouTube player