KryesoreLajme

Konjufca: Dhuna ndaj grave nuk luftohet vetëm me institucione

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se dhuna ndaj grave nuk mund të luftohet vetëm me mekanizma institucionalë. 

Në kuadër të konferencës “Të Bashkuar Kundër Dhunës – Mjaft!”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore, në kuadër të fushatës globale të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, Konjufca ka thënë se fushata “është dëshmi se në përpjekjet për të luftuar dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, është i domosdoshëm solidarizimi i vazhdueshëm dhe angazhimi i përditshëm”.

Konjufca ka thënë dhuna ndaj grave duhet të luftohet nga të gjithë.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“Secili prej nesh ka për obligim që të angazhohet dhe të punojë për një shoqëri të barabartë dhe pa dhunë”, u shpreh ai.

Tek ka thënë se dhuna gjinore mbetet problem i madh, Konjufca ka deklaruar se janë bërë hapa domethënës për avancimin e kuadrit ligjor dhe ngritjen e ndërgjegjësimit. Megjithatë sipas tij, ka ende punë për të bërë.

“Siç e dini, Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka hartuar dhe miratuar nismën ligjore për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, dhe këtë jemi përpjekur ta harmonizojmë me Konventën e Stambollit. Ligji njeh lloje të ndryshme të dhunës, duke përfshirë lëndimin fizik, seksual, psikologjik ose ekonomik, por edhe dhunën ndaj grave në politikë, ngacmimet e ndryshme si dhe ngacmimet seksuale në internet”, ka thënë Konjufca, sipas komunikatës nga Kuvendi.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Konjufca ka thënë se përkundër masave dhe fushatave, procesi nuk është i kënaqshëm.

“Kjo na bën të mendojmë që nevojitet një qasje holistike ndaj këtij fenomeni, një strategji e gjerë që trajton të gjitha aspektet dhe faktorët që direkt apo indirekt ndërlidhen me këtë problematikë”, ka thënë Konjufca, duke bërë thirrje për fokusim në zhvillimin e një edukimi të hershëm që promovon vlera të barazisë dhe respektit. 

YouTube player