Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione ndaj Rusisë për deportimin e fëmijëve ukrainas
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do ta sanksionojë Rusinë me 10 masa të reja, raporton The Guardian. Vendimi vjen si kundërpërgjigje e dëbimit me forcë të fëmijëve ukrainas.
Në një deklaratë, qeveria thotë se po shënjestron “mbështetësit e përpjekjeve të Vladimir Putinit për t’i deportuar detyrimisht dhe indoktrinuar me forcë fëmijët e Ukrainës dhe për t’ua fshirë trashëgiminë e tyre kulturore ukrainase”.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të përdoret si peng lufte, megjithatë shënjestrimi i fëmijëve ukrainas nga presidenti Putin tregon kufijtë që i kalon ai, në misionin e tij për ta fshirë Ukrainën dhe njerëzit e saj nga harta”, ka thënë sekretari i jashtëm, David Lammy. “Teksa Ukraina mbush 1000 ditë që nga fillimi i pushtimit nga Putini, mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar është e fortë si çelik. Me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne qëndrojmë me Ukrainën për ta ndaluar agresionin rus dhe në luftën për liri, çlirim dhe fitore”.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pretendon se “më shumë se 19.500 fëmijë ukrainas janë transferuar ose dëbuar me forcë” dhe se “rreth 6000 fëmijë ukrainas janë zhvendosur në një rrjet kampesh riedukimi”.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra-arresti për presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, në lidhje me deportimin e fëmijëve.
Rruga Press