Në darkë me Lukashenkon/ Pamjet që Edi Rama nuk do që të publikohen
Tre ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte qenë pjesë e një darke informale, gjatë qëndrimit në Azerbajxhan, i ftuar nga presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Në postimin që bëri në rrjetet sociale, Rama e quajti sheikun arab një mik të mirë të Shqipërisë dhe shpërndau foto nga darka, siç duken në postimin më poshtë. Linku i plotë KETU
Por në darkën informale që organizoi presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka marrë pjesë edhe presidenti i Bjellorusisë, aleati i ngushtë i Putinit në luftën ndaj Ukrainës, Aleksandër Lukashenko.
Pamjet e këtij të fundit mungojnë në fotot që Rama ka përzgjedhur të ndajë me publikun, por ato janë publikuar nga agjencitë përkatëse të presidencës së Emirateve dhe të Bjellorusisë.
Nga këto fotot shihet se në krahun e majtë të emirit arab është ulur Edi Rama, ndërsa në krahun e tij të djathtë qëndron autokrati bjellorus, Aleksandër Lukashenko, bashkëpuntori i afërt i Vladimir Putinit.
Diktatori bjellorus është një ndër mbështetësit kryesorë të Rusisë në agresionin ndaj Ukrainës.
Deri tani ai ka thënë se presidenti rus nuk ka kërkuar që trupat bjelloruse t’i bashkohen pushtimit. Por Bjellorusia ka mbështetur Rusinë duke mbajtur gati një sasi armësh bërthamore taktike te fqinjit të saj, që nga qershori 2023.
I pyetur nëse Putini është gati t’i përdorë armët bërthamore të stacionuara në Bjellorusi, Lukashenko ka këmbëngulur se aleati i tij “nuk do t’i përdorte kurrë” armët pa pëlqimin e liderit bjellorus.
Gjithsesi Lukashenko tha se vendi i tij është “plotësisht i gatshëm” të përdorë armët bërthamore, nëse është e nevojshme, por “vetëm nëse çizmja e një ushtari [të huaj] hyn në Bjellorusi”.
Rruga Press