Bota

SHBA-ja sot hap bazë raketore në Poloni

Shtetet e Bashkuara do të hapin zyrtarisht një bazë të re të mbrojtjes ajrore në Poloninë veriore të mërkurën, teksa Varshava përpiqet t’i sigurojë banorët se NATO-ja garanton siguri në mesin e shqetësimeve pas fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Donald Trumpi, raporton Reuters.

E vendosur afër qytetit Redzikowo afër bregut Baltik, baza ka qenë nën punime që nga vitet 2000 dhe Varshava thotë se kjo tregon që aleanca ushtarake e Polonisë me Washingtonin mbetet e fortë, pavarësisht se kush është në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Lexo më shumë  Human Rights Watch akuzon Izraelin për krime kundër njerëzimit për zhvendosjen e detyruar në Gaza

“U desh pak kohë, por ky ndërtim dëshmon për vendosmërinë gjeostrategjike të SHBA-së”, ka thënë ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski në një video të postuar në platformën X.

Presidenti polak, Andrzej Duda, konservator që ka treguar për lidhjet e ngrohta me Trumpin, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së bazës, të cilën Kremlini e quan përpjekje për ta frenuar Rusinë, duke e lëvizur infrastrukturën ushtarake amerikane pranë kufijve të saj.

Kritikat e kaluara të Trumpit i kanë shqetësuar disa anëtarë të NATO-s, meqë ai është zotuar se SHBA-ja nën udhëheqjen e tij nuk do t’i mbronte vendet që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje.

Megjithatë, Polonia thotë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, si shpenzuesi më i madh i aleancës për mbrojtje, në krahasim me madhësinë e ekonomisë së saj.

Rruga Press

YouTube player