BotaKryesore

Le Monde: “Fitorja e Trump, fundi i një bote amerikane”

Këtë herë zgjedhja u bë me vetëdije. Në vitin 2016, kur e çuan për herë të parë, Donald Trump-in në Shtëpinë e Bardhë, zgjedhësit amerikanë nuk e dinin se çfarë do të sillte një presidencë e drejtuar prej tij. Ata bënë një kapërcim drejt të panjohurës.

Në vitin 2024, situata është e ndryshme: jo vetëm që zgjedhësit republikanë e njohnin mirë kandidatën e tyre, përfshirë edhe sjelljet e tij më të shëmtuara, por ata e dinin se ai është bërë edhe më radikal se para tetë vjetësh. Elektorati i Donald Trump e di se ku do t’i çojë ky president dhe e ka shtyrë atë në këtë drejtim.

Kjo është një e vërtetë që duhet analizuar me sytë hapur.

Rruga në të cilën Donald Trump, që ndihet akoma më i fortë këtë mandat të dytë falë suksesit të partisë së tij në Senat, do ta udhëheqë vendin e vet, në një rrugë thellësisht të kundërt nga ajo që kanë ndjekur Shtetet e Bashkuara që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Ky është fundi i një cikli amerikan, atij të një superfuqie të hapur dhe të angazhuar ndaj botës, të gatshme të shërbejë si model demokratik – e një “qyteti që shkëlqen mbi kodrinë”, siç mburrej presidenti Ronald Reagan.

Ky model tashmë ishte dobësuar gjatë dy dekadave që kemi lënë pas. Rikthimi i Donald Trump-it ka ngulur gozhdën finale mbi pllakën e varrit të tij.

Lexo më shumë  Zbulohen detaje se si do të duket “shërbimi i ri ushtarak” në Gjermani

Bota sipas Donald Trump-it është një botë që ai e shikon vetëm përmes prizmit të interesave kombëtare amerikane. Një botë e raporteve të forcave dhe luftërave tregtare, që e përçmon multilateralizmin. Një botë ku diplomacia transaksionale zëvendëson aleancat që bazohen në vlera. Një botë, për më tepër, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara rezervon fjalët më të ashpra për aleatët e tij, ndërkohë që i jep përparësi autokratëve, të cilët i konsideron si partnerë, jo si kundërshtarë.

Rreziku i çarjes së Europës

Evropianët kanë, me të drejtë, një kujtim të keq nga mandati i parë i Trump-it. Mandati i dytë do të jetë akoma më i rrezikshëm, në një kontekst ku lufta po zhvillohet në kontinentin e tyre, një luftë e shpallur nga një fuqi ruse, që injoron të gjitha angazhimet e saj ndërkombëtare dhe po tregon një agresivitet në rritje.

Nëse, siç ka kërcënuar gjatë fushatës, Donald Trump do ta ndërpresë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe do negociojë me Vladimir Putinin një paqe që i jep përparësi pushtuesit, pasojat e një përfundimi të tillë do të shkojnë shumë përtej fatit të vetëm Ukrainës: ato do të prekin të gjithë sigurinë e kontinentit.

Rreziku i ndarjes, madje i shpërbërjes së Europës përballë një perspektive të tillë, është real. Ky rrezik është ekzistencial për Bashkimin Europian. Drejtuesit e tij që ndërkohë janë vonuar shumë, duhet ta kuptojnë këtë dhe të përgatiten për t’u përballur, pa pritur fillimin e mandatit të Donald Trump-it.

Lexo më shumë  Zelensky: Koncesionet me Putinin, vetëvrasëse për Evropën

Fitorja e tij, pas një fushate të mbushur me populizëm, mizogjinizëm dhe racizëm të pakrahasueshëm është gjithashtu një shenjë e keqe për gratë, për emigrantët dhe për demokracinë në përgjithësi. Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara po rimerr në dorë një sistem që ai filloi ta ndërtojë kur ishte presidenti i 45-të, një sistem ku mekanizmi i shenjtë i “kontrollit dhe balancës”, që duhet të mbrojnë institucionet demokratike amerikane,  tashmë është dobësuar dhe ku Gjykata e Lartë i është nënshtruar atij. Ai ka arritur të banalizojë sulmin ndaj Kapitolit nga turmat që ai i inkurajoi më 6 janar 2021.

Imazhi i një kreu ekzekutivi të fuqisë më të madhe botërore, i cili i quan kundërshtarët e tij “armiq të brendshëm”, duke thënë se disa duhen dënuar me pushkatim, i cili sulmoi mediat e pavarura apo kërcënoi të dërgonte ushtrinë për të ndjekur emigrantët ilegalë në qytetet demokratike, mund të përbëjë një inkurajim për të gjithë liderët iliberalë të planetit, përfshirë edhe ata në Europë.

Zgjedhësit e Donald Trump-it e zgjodhën atë në mënyrë të ndërgjegjshme, njësoj siç bënë edhe udhëheqësit e botës së biznesit apo të teknologjisë së lartë që i’u bashkuan në fushatë, duke e ndjekur hapat e Elon Musk, padronit ikonik që u shndërrua në eminancën e tij gri. Por ama pjesa tjetër e botës do të përballet me pasojat e rezultatit të 6 nëntorit./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player