KryesoreLajme

U zbuluan komunikime në telefonin e gruas së Berberit, Lala: Benet Beci është person nën hetim zyrtarisht nga SPAK

Më shumë detaje janë zbuluar lidhur me dosjen që ka në “duar” SPAK për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Becin. Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” tha se hetimi ka nisur pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Evis Berberit, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sipas saj, ka patur komunikime që lidhen me Becin, pasi e shoqja e Berberit punonte në KESH, institucion që dikur drejtohej nga kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës. Ndër të tjera, Klodiana Lala tha se Beci po hetohet për dy vepra penale; korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

“Benet Beci është person nën hetim zyrtarisht nga SPAK. Po hetohet për korrupsion, shpërdorim detyre. Nuk po hetohet si kryetar bashkie i Shkodrës, por si drejtues i KESH, kur ka qenë drejtor i KESH vite më parë. Është interesant mënyra si ka nisur hetimi. Është pyetur të premten, nuk qëndroi gjatë sepse nuk kishte avokat, më pas ka zgjedhur avokat. Detaj interesant është që SPAK, ka hetuar ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor shqiptar, Evis Berberi. Në shtëpinë e zotit Berberi ishte bërë kontroll. Prokurorët kanë sekuestruar edhe celularin e bashkëshortes, që ka qenë zyrtare e lartë në KESH.

Janë zbuluar mesazhe jo vetëm me zotin Beci, por edhe zyrtarë të tjerë në Ministrinë e Infrastrukturës. Pasi janë mbledhur kontrata dhe dokumentacion, prokurorët kanë konkluduar se zoti Beci duhet të jetë person nën hetim. Nga informacionet që kam arritur të marrë, janë thirrur edhe bashkëpunëtorë të zotit Beci.

Kjo është panorama që ka të bëjë me hetimin deri tani. Mbetet për t’u parë. Zoti Beci nuk ka dhënë dorëheqjen”, tha Lala.

YouTube player