Sport

VIDEO-KONFERENCA/ Lista e Kombëtares, Sylvinho: Duam vendin e parë

Trajneri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho ka dalë përpara mediave nga “Shtëpia e Futbollit” në Tiranë ku ka shpjeguar 28 emrat e zgjedhur për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve që zhvillohen në “Air Albania”.

Më 16 nëntor kuqezinjtë luajnë kundër Çekisë dhe më 19 nëntor kundër Ukrainës në Tiranë, me sfidat që marrin jetë në 20:45. Kujtojmë se të gatshëm për ndeshje trajneri do duhet të ketë vetëm 24 emra, me Manaj dhe Kumbullën që paçka se janë pjesë e grumbullimit, vuajnë një lëndim.

“Lista e gjerë me 28 emra dhe objektivat – Përshëndetje të gjithëve. Po, kam 28 emra të ftuar dhe pesë lojtarë kanë kartona të verdhë. Kemi dy gara në shtëpi dhe jemi këtu në Tiranë të grumbulluar. Do ftoj lojtarët në maksimum. Kemi tre emra që janë të lënduar dhe kanë probleme, duhet të kuptojmë situatën e Kumbullës, Manaj dhe Barës. Do shohim nëse janë gati për të luajtur ose jo.

Po, mund të konkurrojmë me të gjithë dhe të jemi të parët. Gjeorgjia na mposhti këtu dhe i mundëm atje. Të katër ekipet ishin pjesë e Euro 2024 dhe kanë elementë të mirë. Mund të ndodhë çdo gjë. Avantazhi ynë, edhe pse i vogël është se luajmë në shtëpi.

Forma e lojtarëve – Për mua kjo është një “dhimbje koke” e mirë. Moment i rëndësishëm për vendin dhe ekipin, duhet të jemi në lojë. Kemi rivalë me elementë të fortë.

Manaj ka dy javë që nuk luan, doli pasi shënoi për dëmtim. Bare ka një dëmtim në gju dhe ka 13 ditë jashtë. Sa më shumë lojtarë të kemi, aq më mirë.

Muçi po kalon një moment të mirë, Bajrami po. Përpara një muaji, ju nuk e dini, unë shkova vizitova Muçin dhe nuk po merrte minuta. Shkova e takova, e përqafova dhe folëm për situatën. Jam shumë i gëzuar që ka shënuar në tre ndeshjet e fundit”, tha trajneri fillimisht.

Lista e Kombëtares

Tekniku kuqezi ka vendosur të grumbullojë katër portierë Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Simon Simoni.

Në mbrojtje janë Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.

Në mesfushë Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Qazim Laçi, Feta Fetai, Jasir Asani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha dhe Keidi Bare.

Në sulm Ernest Muçi, Indrit Tuci, Mirlind Daku, Myrto Uzuni dhe Rey Manaj.

YouTube player