Bota

Zbulohen detaje se si do të duket “shërbimi i ri ushtarak” në Gjermani

Forcat e armatosura gjermane do të rriten dhe kanë nevojë për forma shtesë të rekrutimit. Projektligji i ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius fokusohet në shërbimin vullnetar.

Ministria gjermane e Mbrojtjes me një projektligj po hedh themelet për futjen e një shërbimi të ri ushtarak në Gjermani.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius shpreson se Kabineti Federal do të miratojë planet e tij, të cilat duhet të eliminojnë një pengesë të madhe.

Pse është i nevojshëm një model i ri i shërbimit ushtarak?

Duke pasur parasysh ndryshimin e situatës së kërcënimit, Forcat e armatosura gjermane “Bundeswehr” duhet të shtohen në numër.

Nga njëra anë bëhet fjalë për numrin e ushtarëve aktivë. Në vitet në vijim, numri i tyre do të rritet nga rreth 180.000 në rreth 200.000.

Do të nevojiten gjithashtu më shumë rezervistë.

Që nga pezullimi i rekrutimit në vitin 2011, Bundeswehr-i i është drejtuar rekrutimit të vullnetarëve, për shembull përmes qendrave të karrierës së forcave të armatosura.

Deri sot, çdo vit kanë dalë vullnetarë për shërbimin ushtarak rreth 10.000 të rinj dhe të reja. Kjo mundësi do të vazhdojë të ekzistojë. Megjithatë, nuk do të mjaftojë për të zgjidhur problemet e personelit të trupave.

Si funksionon modeli i ri?

Kur të arrijnë moshën e shërbimit ushtarak, pra zakonisht 18 vjeç, të rinjtë dhe të rejat do të marrin një letër me një kod QR që përmban një pyetësor në internet nga Bundeswehr.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Meshkujt kanë detyrimin ta plotësojnë pyetësorin. Nëse nuk e bëjnë këtë edhe pasi iu kërkohet një gjë e tillë, ata përballen me gjobë.

Për femrat, pjesëmarrja është vullnetare. Supozohet të ketë vetëm disa pyetje. Planifikuesit llogarisin që duhen rreth 15 minuta për ta përfunduar.

Ndër të tjera, pyetësori pyet për aftësinë fizike dhe gatishmërinë e përgjithshme për të kryer shërbimin ushtarak.

Më pas Bundeswehr shqyrton pyetësorët, bën një përzgjedhje dhe fton kandidatët për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në vitin e parë do të rekrutohen për shërbimin ushtarak 5000 kandidatë.

Sipas Ministrisë Federale të Mbrojtjes, aftësitë stërvitore të Bundeswehr-it aktualisht nuk janë të mjaftueshme për më shumë rekrutë.

Pse është i detyrueshëm vetëm për meshkujt?

Ish shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i pezulluar, zbatohej vetëm për meshkujt.

Kjo nuk duket më e përshtatshme sot. Shumë femra janë të interesuara të shërbejnë në Bundeswehr.

Ministria Federale e Mbrojtjes po studion nëse detyrimi për plotësimin e pyetësorit në shërbimin e ri të detyrueshëm ushtarak mund të zbatohet edhe për femrat.

Ekspertët besojnë se kjo do të kërkonte ndryshimin e kushtetutës, Ligjit Bazë.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Për momentin, qeveria gjermane nuk dëshiron ta trajtojë këtë çështje. Prandaj, pjesëmarrja e femrave ende nuk është e detyrueshme.

Çfarë pamje do të ketë konkretisht shërbimi ushtarak?

Do të fillonte me gjashtë muaj shërbim të ashtuquajtur bazë.

Më pas, ekziston mundësia për ta zgjatur atë deri në 23 muaj.

Nëse shërbimi zgjat përtej gjashtë muajve të parë, ai mund të lidhet me stimuj të tillë si marrja e një lejeje drejtimi të posaçme të automjeteve ose të llogaritet koha e periudhës së shërbimit ushtarak në pritjen për një vend studimi në universitet.

Paga bazë pritet të jetë rreth 1800 euro në muaj.

A mund ta zgjidhë “shërbimi i ri ushtarak” problemin e rekrutimit?

Nëse Dhoma e Landeve, Bundesrat dhe Bundestag i japin ligjit dritën të gjelbër, ai ndoshta mund të hyjë në fuqi pranverën e ardhshme.

Duket realiste që 5000 vendet e planifikuara të plotësohen plotësisht me vullnetarë në vitin e parë.

Megjithatë, planet e Bundeswehr-it parashikojnë një rritje të numrit të kuotave të shërbimit ushtarak në vitet në vijim.

Është e pasigurt nëse ky objektiv mund të arrihet vetëm me parimin e shërbimit vullnetar.

Prandaj, nuk përjashtohet që të nevojiten të bëhen ndryshime në shërbimin ushtarak, për ta bërë atë shumë më të detyrueshëm. /DW/

YouTube player