Çmenden taksidarët e Veliajt/ Bashkia e Tiranës masakron mijëra biznese të kryeqytetit me gjoba të paligjshme
Mijëra biznese në kryeqytet po përballen me një valë gjobash të paligjshme këto muaj, teksa Bashkia e Tiranës u ka ngarkuar atyre një barrë që nuk u takon. Në themel të masakrës, qëndrojë dy detyrime që bizneset në Tiranë paguajnë pranë bashkisë. Ato janë taksa e përkohëshme e infrastrukturës arsimore si dhe tarifa e pastrimit.
Të dy këto detyrime variojnë në bazë të kategorisë së biznesit, por edhe xhiros së tij. Për bizneset që kanë xhiro më të ulët se 2 milionë lekë në vit, tarifa e pastrimit varion nga 4 mijë deri në 5 mijë e 750 lekë në vit. Ndërsa taksa e përkohshme në infrastrukturë luhatet nga 4 mijë deri në 9 mijë lekë në vit.
Por nëse biznesi ndryshon përgjegjësinë tatimore dhe kalon në një prag më të lartë xhiroje, të dyja detyrimet rriten. Për shembull nëse biznesi kalon me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit, tarifa e pastrimit që ai duhet të paguajë në bashki rritet në intervalin nga 8 050 deri në 35 mijë lekë në vit, sipas llojit të aktivitetit që kryen biznesi. Kështu ndodh dhe me taksën e përkohëshme të infrastrukturës arsimore.
E njëjta gjë ndodh edhe kur biznesi kalon fashën e xhiros mbi 8 milionë lekë dhe klasifikohet si biznes i madh. Edhe për këtë fashë taksa e arsimit dhe tarifa e pastrimit rriten më tej.
Si taarifa e pastrimit ashtu dhe taksa arsimore paguhen në bazë të xhiros së vitit parardhës. Për shembull nëse një biznes për vitin 2022 ka patur xhiro nën 2 milionë lekë, atëherë për 2023-shin ai ka paguar një tarifë pastrimi që varion nga 4 mijë deri në 5750 lekë në vit. Problemi fillon nëse i njëjti biznes kalon pragun e xhiros në vitin 2023 dhe kalon me xhiro më të lartë se 2 milionë lekë apo mbi 8 milionë lekë.
Kjo është ajo që ka ndodhur me mijëra biznese në kryeqytet, të cilat kanë kaluar në një prag më të lartë xhiroje. Për shkak se në vitin 2023 ato e kanë paguar taksën e arsimit dhe tarifën e pastrimit mbi xhiron e vitit të mëparshëm, muajt e fundit Bashkia u ka bërë rivlerësim.
Në shkresat e detyrimeve që drejtoria e taksave në Bashkinë e Tiranës u ka nisur bizneseve, thuhet se ato kanë kaluar në një prag më të lartë xhiroje dhe rrjedhimisht duhet të paguajnë një detyrim më të lartë se sa ai që kanë paguar për vitin 2023.
Por ndonëse rritja e detyrimit është e përcaktuar në ligj, veç kësaj bashkia e Tiranës i ka ngarkuar bizneset edhe me gjoba dhe kamatvonesa për diferencën e detyrimeve që duhet të paguajnë. Këto gjoba dhe kamata të cilat janë në rendin e dhjetra mijë lekëve janë të gjitha të paligjshme.
Gjobat qe po u dergohen bizneseve te Tiranes nga Bashkia
Sipas kuadrit ligjor në fuqi, identifikimi dhe llogaritja e taksave vendore dhe tarifave vendore që një subjekt duhet të paguajë është detyrë e Agjentit Tatimor. Është pikërisht Agjenti Tatimor që pasi ka identifikuar dhe llogaritur taksat dhe tarifat përkatëse i njofton subjektit përkatës vlerën e tyre dhe faturën me anë të të cilit duhet të bëjë pagesën.
Agjenti Tatimor, që në këtë rast është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Tiranë. është pikërisht kjo drejtori, e cila u ka nisur bizneseve detyrimet në vitin 2023 në ato masa që ata kanë shlyer. Tashmë është sërish e njëjta drejtori, e cila i gjobit bizneset sepse detyrimet që ajo u ka llogaritur nuk kanë qenë të sakta, por duhet të ishin më të larta për shkak të ndryshimit të xhiros./ Kapitali.al
Rruga Press