BotaGjeopolitikë

Si i përdor Rusia kishat për të zgjeruar ndikimin në Ballkan?

A janë kishat ortodokse në Ballkan pjesë e “perandorisë së padukshme” të Rusisë? Një tregues i fuqishëm është pozicionimi i kishave të rajonit midis dy poleve të botës ortodokse – Patriarkanës së Moskës dhe Patriarkanës Ekumenike me seli në Stamboll. Kjo ndarje sidomos u bë e dukshme  pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, kur dy kisha luftonin për njohje – e para ishte Kisha Ortodokse e Ukrainës, e mbështetur nga shteti, ndërsa e dyta ishte Kishës Ortodokse Ukrainase – Patriarkana e Moskës. Kjo e dyta u ndalua nga Parlamenti ukrainas në gusht 2024 për shkak të veprimeve të saj në përputhje me agjendën e Kremlinit.

Në vend që të njohin Kishën Ortodokse të Ukrainës si autoritetin e vetëm fetar të njohur nga shteti, kishat serbe, bullgare, maqedonase dhe shqiptare kanë zgjedhur të mbështesin Kishën pro-ruse.

Kisha e fundit që njohu instalimin religjioz të Rusisë në Ukrainë ishte Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit. Vendimi u mor vetëm një muaj pasi Parlamenti në Kiev e ndaloi funksionimin e saj. Me këtë akt, Kisha në Shkup rrezikon të mos marrë njohjen e pavarësisë nga Patriarkana Ekumenike me seli në Stamboll, e pozicionuar kundër ndikimit të Rusisë nëpërmjet religjionit. Në vitin 2019 Patriarkana Ekumenike njohu Kishën Ortodokse të Ukrainës, duke i dhënë kështu një goditje diplomacisë kishtare ruse. Duke hyrë në këtë mosmarrëveshje mes dy qendrave të Ortodoksisë Lindore, Kishës Ruse dhe Patriarkanës Ekumenike, Kisha Maqedonase bëhet peng në një proces që nuk dihet se si do të përfundojë.

“Me këtë veprim, ajo rreshtohet drejtpërdrejt në anën e Kishës Ruse dhe mban anën kundër Patriarkanës Ekumenike”, thotë për The Geopost Nikollaj Krastev, gazetar nga Sofja dhe njohës i mirë i rrethanave gjeopolitike. “Edhe pse është në pritje të njohjes saj, Kisha Maqedonase vendosi të shprehë mbështetjen për Kishën Ukrainase pro-Ruse, një lëvizje që hap shumë pikëpyetje për vendin e saj në botën ortodokse. Kjo padyshim do të dëmtojë planet e Kishës Maqedonase për të marrë njohjen e shumëpritur nga Patriarkana Ekumenike, në mënyrë që ajo të bëhet një kishë vërtet e barabartë në familjen e kishave të tjera ortodokse”.

Lexo më shumë  Ukraina thotë se Rusia ka nisur një sulm me raketa balistike ndërkontinentale

E panjohur nga Kisha Serbe, Kisha Maqedonase nga viti 2017 është në proces të marrjes së njohjes nga Patriarkana Ekumenike në Stamboll. Por, me këtë vendim, kjo njohje vihet në rrezik dhe e kthen sërish në sferën e ndikimit kishtar të Beogradit dhe Moskës.

“Kisha Maqedonase humbi shansin e saj të rreshtohet në anën e drejtësisë në këtë luftë, e cila ka shumë aspekte dhe elementi kishtar i paraprin asaj. Ndikimi i “botës serbe” në hapësirën post-jugosllave çoi në ndryshimin e qeverive në Mal të Zi dhe Maqedoni, të cilat gravituan (pa)vullnetarisht në Beograd dhe prej andej në Moskë”, vlerëson Krastev.

Sipas tij, ndikimi kishtar rus dhe serb do të rritet, sepse Patriarkana e Moskës dhe Beogradit e kthejnë Kishën në Shkup në një pion në tabelën kishtare të shahut.

Marjan Nikollovski, një analist nga Shkupi i çështjeve kishtare në rajon, thotë për The Geopost se Kisha Ruse mendon në mënyrë imperialiste territorialе.

“Në këtë kontekst ishte një nga deklaratat e fundit të patriarkut rus – çdo territor i ish-Bashkimit Sovjetik është juridiksion i Kishës Ruse dhe ajo ka pushtet mbi të. Kështu që Kisha Ruse nesër mund të krijojë një kishë autoqefale, autonome dhe të pavarur, por brenda kufijve të saj federativ. Ky është modeli i një federate kishash”, thotë Nikolovski.

Sipas tij, të njëjtin model të federatës kishtare Rusia tenton ta zbatojë edhe në rajon, ku territorin e ish-Jugosllavisë e vendos nën juridiksion të Kishës Ortodokse Serbe. “Kisha Serbe tashmë i ka dhënë një njohje të rreme Kishës Maqedonase. Kjo është arsyeja e përpjekjes për të penguar një njohje nga Patriarkana Ekumenike, në mënyrë që Kisha Maqedonase të mbetet një çështje e brendshme e Kishës Serbe. Pra, të mbetet një kishë autoqefale brenda juridiksionit të Kishës Serbe. Sipas këtij modeli të një federate kishash, nesër mund të ketë një Kishë Ortodokse Autoqefale Malazeze dhe madje edhe një Kishë Ortodokse Autoqefale Kosovare, natyrisht brenda federatës së Kishës Serbe”, thotë Nikolovski.

Lexo më shumë  Senatori amerikan Sanders, ka deklaruar se është koha që SHBA-ja t’i japë fund bashkëfajësisë së saj në mizoritë e Izraelit ndaj Rripit të Gazës 

Analisti Krastev rikujton se kisha serbe dhe kishat ruse ishin kundër pavarësisë së Kishës Maqedonase dhe për vite me radhë qëndruan në anën e Beogradit, e jo të Shkupit. Sipas tij, ndikimi rus në ortodoksinë maqedonase po rritet dhe se kjo ndikon në sjelljen e saj në botën ortodokse.

“Pyes veten se cila do të ishte sjellja e Kishës Maqedonase për zgjidhjen e çështjes së kishës malazeze? Se ku po shkon Kisha Maqedonase në këtë lojë komplekse diplomatike kishtare është shumë herët të thuhet, por shenjat e para tregojnë se kthesa drejt Beogradit dhe Moskës është në drejtim të gabuar”, nënvizon Krastev.

Në të kaluarën Kisha Maqedonase në disa raste nuk ka fshehur simpatitë për Rusinë. Në janar të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut qëndroi Peshkopi Antoni, njeriu i dytë i Kishës Ortodokse Ruse. Përveç takimeve, ai mbajti edhe një liturgji të përbashkët me kryepeshkopin maqedonas Stefan. Po në janar të vitit 2023, një delegacion i zyrtarëve kishtarë nga Rusia, të shoqëruar nga ambasadori rus në Shkup, Sergej Bezdnikin, vizituan selinë e Kishës Maqedonase në Shkup.

Ndikimi i Rusisë përmes kishës ortodokse në Ballkan është i madh dhe pa kosto të lartë. Përveç ndikimit, zyrtarë kishtarë shpesh janë kapur duke kryer edhe aktivitete spiunazhi. Në shtator të vitit 2023 Maqedonia e Veriut dëboi përfaqësuesin e Kishës Ruse, Vasian Zmeev, për shkak të aktiviteve të spiunazhit në këtë vend. Të njëjtën gjë bëri edhe Bullgaria, ku prifti rus Zmeev vepronte si përfaqësues kishtar i Patriarkanës së Moskës në Sofje. /Shkruan: Xhelal Neziri, bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut/

YouTube player