Kamala Harris: Nga drejtësia e politika, drejt historisë
“Zambak uji” është kuptimi i emrit të Kamala Harrisit që po synon të bëhet gruaja e parë që merr postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Harris, e njohur si bijë emigrantësh, u lind në Oakland të Kalifornisë më 20 tetor të vitit 1964.
E rritur në një mjedis ku nëna i ishte përkushtuar shëndetësisë, ndërsa babai ekonomisë, 60-vjeçarja iu përkushtua fushës së drejtësisë.
Më 1982, ajo u regjistrua në Universitetin e Howardit, një universitet historikisht i dominuar nga amerikanët me ngjyrë, në zemër të Uashingtonit, ku diplomoi në drejtimin e shkencave politike.
Pas diplomimit, Harris u kthye në Kaliforni dhe ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e California Hastings. Harrisi punoi për tri dekada si prokurore në Oakland, para se më 2004 të zgjidhej kryeprokurore e qarkut të San Franciskos, detyrë kjo në të cilën shërbeu deri më 2011.
Më 2011, Harris u bë amerikania e parë me ngjyrë që do të zgjidhej prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Derisa mbajti këtë post ajo u përqendrua mbi çështje të ndryshme, si reforma në drejtësinë penale, krizën e hipotekave, mbrojtjen e mjedisit, dhe barazinë gjinore.
Kandidatja amerikane për presidente tërhoqi vëmendjen kombëtare sa ishte kryeprokurore, kur mbajti fjalim në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve në Karolinën e Veriut, më 5 shtator 2012. Zgjedhja si folëse vuri në pah rritjen e ndikimit brenda partisë dhe potencialin si udhëheqëse e ardhshme.
Por kapërcimin e vërtetë jetësor drejt politikës Harris e bëri në vitin 2015, kur lansoi fushatën për t’u zgjedhur senatore, duke synuar ta zëvendësonte senatoren e kahershme të Kalifornisë, Barbara Boxer.
Fushata e saj u mbështet nga ish-presidenti Barack Obama dhe zëvendëspresidenti i atëhershëm, Joe Biden, duke bërë që në zgjedhjet e 2016-s Harris të zgjidhet senatorja e parë me ngjyrë nga shteti i Kalifornisë.
Në zgjedhjet e 2020-s, kandidati i Partisë Demokratike për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, zgjodhi Kamala Harrisin për të qenë krahu i tij i djathë e për të udhëhequr postin e zëvendëspresidentes.
Më 20 janar 2021, Harris bëri një hap gjigant në politikë. Harris u betua si zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara. Ajo u bë gruaja e parë, si gruaja e parë me ngjyrë dhe si gruaja e parë jugaziatike të arrinte këtë majë të politikës amerikane.
Derisa po kryente detyrën si zëvendëspresidente, Harrisin po e priste një detyrë shtesë.
Dy partitë rivale amerikane po bëheshin gati për zgjedhjet e reja presidenciale të këtij viti. Demokratët e zgjodhën për kandidat presidentin aktual, Joe Biden, por në fushatë e sipër, për shkak të arsyeve shëndetësore, Biden u tërhoq nga gara, kështu kongresi i partisë pastaj zgjodhi Harrisin kandidate për presidente.
Më 23 gusht Harris pranoi kandidaturën për presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo do ta sfidojë ish-presidentin Donald Trump, me të cilën ka pasur një sërë divergjencash e përplasjesh gjatë fushatës zgjedhore.
Nëse Harris fiton, ajo do të lërë shenja të thella në historinë moderne të politikës amerikane, pasi do të jetë gruaja e parë me ngjyrë që ka shërbyer si kryeprokurore e Kalifornisë, si gruaja e parë jugaziatike që është zgjedhur zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara, si dhe gruaja e parë që do të marrë postin më të lartë të demokracisë më të fuqishme në botë.
Rruga Press