Opinion/Aktualitet

Vehbi Kajtazi do që t’i besojmë se është viktimë e përndjekjes nga qeveria. Një gazetar që gjoja sulmohet nga “regjimi” sepse guxon të flasë të vërtetën. Por, nëse e shikon më nga afër pretendimin e tij, e gjithë historia fillon të zbërthehet

Nga Vudi Xhymshiti

Vehbi Kajtazi do që t’i besojmë se është viktimë e përndjekjes nga qeveria. Një gazetar që gjoja sulmohet nga “regjimi” sepse guxon të flasë të vërtetën. Por, nëse e shikon më nga afër pretendimin e tij, e gjithë historia fillon të zbërthehet.

Kajtazi pretendon se një pajisje GPS është gjetur në veturën e tij, të cilën ai thotë se “duhet t’i përkasë” AKI-së (Agjencia Kosovare e Inteligjencës). Por për një pretendim kaq të rëndë, ai nuk sjell asnjë provë. Nuk ka asnjë dokument, asnjë konfirmim nga policia apo gjyqësori, dhe as burime të besueshme, vetëm dyshime të mjegullta që ai hedhë. Kjo nuk është gazetari; ky është tregim, për të mos i thënë trillim edhe pse deri në gjetjen e fakteve kualifikohet si trillim, por hajde ta kursejmë Kajtazin nga paturpësia e tij.

Zgjedhja e fjalëve të tij: kur e quan qeverinë “regjim” dhe këmbëngul se gazetarët janë “subjekt përndjekjeje” – është plot dramë, por bosh nga faktet. Gazetarët e vërtetë nuk e përdorin fjalën “regjim” përveç nëse janë duke raportuar për një sundim të vërtetë autoritar. Fjalët e Kajtazit duket se kanë më shumë për qëllim të nxisin një lloj zemërimi sesa të japin saktësi.

Ai gjithashtu pretendon se kjo pajisje GPS mund të bëjë përgjime të plota, duke regjistruar bisedat nëse telefoni është lidhur në makinë. Por ai nuk sjell asnjë ekspert teknik apo provë për të shpjeguar se si funksionon kjo. Në vend të kësaj, Kajtazi e lë paranojën të bëjë punën. Duke vepruar kështu, ai largohet gjithnjë e më shumë nga raportimi i parimit hulumtues dhe shkon në terrenin e teorive konspirative.

Ajo që mungon nga historia e Kajtazit është transparenca dhe verifikimi, pra shtyllat e gazetarisë së mirë. Ku janë dokumentet? Ku është prova e urdhrit për përgjim, dokumentet gjyqësore, apo dëshmitë e ekspertëve? Duke anashkaluar këto gjëra thelbësore, Kajtazi jo vetëm që e dobëson historinë e tij; ai e rrënon besueshmërinë e vet edhe ashtu të çakërdisur nga agjendat e tij politike.

Në gazetari, praimet kërkojnë nivel larg më të lartë të rregullave të përkushtimit profesional se sa ç’duket se Kaktazi ka kapacitet të kuptoj. Gazetarët e besueshëm sjellin prova, paraqesin argumente të balancuara dhe shmangin senzacionalizmin. Qasja e Kajtazit, përkundrazi, duket e kundërta: një përmbledhje e lirë pretendimesh që synojnë të shkaktojnë frikë. Ky është një bast i rrezikshëm, një që mund të dëmtojë besimin e publikut te gazetaria.

Pretendimet e Kajtazit nuk e gëzojnë peshën r besimit që duhet të kenë. Nëse ai dëshiron të merret seriozisht, duhet të zëvendësojë spekulimin me përmbajtje faktike. Deri atëherë, ai është vetëm një tjetër zë që bën zhurmë, jo një gazetar që ia flet publikut të vërtetën për pushtetin.

Turpi i vërtetë këtu nuk është vetëm teatraliteti i Kajtazit, por edhe mjetet e mediave që përsërisin pretendimet e tij pa asnjë çast verifikimi. Duke i djënë zë verbërisht historisë së tij të pavërtetuar, ato kanë treguar një mungesë (si shumë herë tjera) të disiplinës gazetareske. Ku është angazhimi bazë për verifikimin e fakteve, për të analizuar burimet, për të ndarë hamendësimet nga realiteti? Në përpjekjen për të ndjekur senzacionalizmin, ato kanë braktisur parimet që ndajnë gazetarinë e vërtetë nga thashethemet. Këto media, duket se kanë një redaksi të paaftë për mendim kritik, pasi ata kanë treguar se nuk janë vetëm joprofesionalë. Këta transmetues duket se janë thelbësisht të pa aftë për t’i zbatuar përgjegjësitë cilësore të shtypit profesional. Në dështimin e tyre për të kërkuar fakte dhe kontekst, ato nuk kanë bërë vetëm të përhapin një histori të zbrazët; ato kanë ekspozuar veten si institucione të zbrazëta nga përmbajtja, krejt të padenja për titullin “gazetar.”

Rruga Press

YouTube player