Mbetjet në Durrës/ Lubonja: Shteti nuk ka funksionuar
Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja thotë se në rastin e mbetjeve që dolën dhe u rikthyen në portin e Durrësit shteti ka munguar për të zbuluar problemin. Sipas tij, mbetjet mund të jenë edhe pjesë e trafikut që kalon nga Shqipëria.
“Kurum i ka prodhuar dhe aty ka gjëra të ndaluara. Kurum ka paguar dhe njerëzit kanë mbyllur sytë. Kjo është gjëja më normale në Shqipëri. Ne në ndotje jetojmë. Përmendet arseniku. Dyshimi që lind është ky, mos ndoshta në mbetjet tona, janë futur dhe trafikantë, që kanë futur dhe mbetje të tjera, se mafia paguan për t’i nxjerrë mbetjet në vende të tjera të botës. Mbetjet mund të jenë pjesë e trafikut që kalon nga Shqipëria.
Në Shqipëri mund të kenë ardhur mbetje të tjera. Shteti mungon dhe arsyeja dihet, për t’u pasuruar pushtetarët. Kam dyshime se a mund të hetohet drejt. Në një mënyrë a tjetër, shteti është përfshirë dhe kërkon t’i ikë përgjegjësisë. Sesi do shkojë fundi, nuk e di sesa fuqi mund të ketë Rrjeti i Bazelit. Nuk ka funksionar asgjë brenda vendit, se nuk janë mbuluar gjërat, por shqetësimi vjen nga jashtë, pra Shoqata e Bazelit” – tha Lubonja në emisionin “Open” në News 24.
Lubonja ka komentuar edhe takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në New York. Sipas tij, PS po bëhet parti-shtet, aq sa nuk kuptohet nëse Rama ka shkuar në SHBA si kryeministër apo si kryetar i Partisë Socialiste.
“Te patronazhimi, thuhej në një vend që ky shtetas që po patronazhojmë ka këtë hall a atë hall. Pra, promovohet partia-shtet. Edhe në këtë shfaqje që pamë, nuk ndahet partia nga shteti. Tani nuk e kemi të qartë, Edi Rama në Nju Jork shkon si kryetar i PS apo si kryeministër.
Po krijohet një parti-shtet. Diaspora në shumicë do votojë partinë e Ramës, për shkak të fuqisë ekonomike që posedon. Diaspora voton për qeverinë, edhe sepse ata që jetojnë jashtë janë të prirur ta votojnë partinë në pushtet, sepse në atë parti shikojnë shtetin shqiptar” – tha Lubonja.
Rruga Press