Kurti: Asociacioni që kërkon Serbia do të minonte Kushtetutën
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar rreth një adresimi të tij ndaj komunitetit të Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.
Situata ekonomike në Kosovë e gjendja e minoriteteve etnike, ishin disa nga temat për të cilat foli kryeministri.
Duke folur për komunitetin serb, ai tha se ky komunitet i cili përbën vetëm 4 % të popullsisë qeveris mëse ¼ e komunave. Në përgjithësi ai tha se Kosova ka mbrojtje të fuqishme të pakicave.
“Kosova ka mbrojtje të fuqishme të pakicave, duke përfshirë ulëse të garantuara parlamentare. Komunitetet joshumicë kanë të drejtën e vetos mbi ligjet jetike dhe amendamentet kushtetuese dhe gëzojnë kuota për të gjitha emërimet e larta shtetërore dhe pozita të tjera në sektorin publik, duke përfshirë policinë. Minoriteti serb, i cili përbën rreth 4% të popullsisë, qeveris mbi një të katërtën e komunave dhe mban afërsisht 9% të vendeve në Parlament, të cilat u janë të garantuara. Ne jemi të përkushtuar ndaj qeverisjes së zellshme që nxit një rritje më të barabartë dhe mbrojtje të fortë të Kushtetutës sonë”, ka deklaruar kryeminstri.
Duke folur për Asociacionin, Kurti tha se Asociacionin që po e kërkon Serbia, do ta minonte Kushtetutën. Sipas tij e njëjta vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse.
“Ne gjithashtu angazhohemi që të dëgjojmë kërkesat e të gjitha komuniteteve pakicë në vendin tonë dhe të peshojmë kërkesat politike bazuar në ndikimin e tyre te njerëzit e zakonshëm dhe në fund të fundit në bazën ligjore që i mbron ata. Një kërkesë e tillë është për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti.
Rruga Press