KryesoreOpinion/Aktualitet

Nga zhurma e armëve në veri të Mitrovicës, tek arma e zhurmës në Prishtinë

Nga Arlind Manxhuka

Kështu do të vazhdojmë përpara – të pathyer në të drejtën dhe zotimet tona për një Kosovë ashtu siç e meriton. Zhurmat, burimi i të cilave është i qartë, nuk do të na ndalin. Tashmë është epoka e vetëvendosjes dhe konceptimit të sovranitetit të plotë

Krahas marrëveshjes së prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila hodhi farën e “Zajednicës”, u themelua edhe një subjekt politik që do të monopolizonte përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë – Lista Serbe. Një vit më vonë PDK, LDK dhe Lista Serbe nënshkruan një marrëveshje koalicioni me disa pika, ku pika 1 theksonte afatin prej 3-5 muajsh për themelimin e Asociacionit. Ky koalicion u arrit vetëm pasi partitë tradhtuan marrëveshjen me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Në një tjetër periudhë kohore, pak vjet më vonë, për më shumë se 8 orë pritej ardhja e Listës Serbe me furgon nga Beogradi për ta votuar qeverinë. Pas kësaj, u bënë të natyrshme fotografitë e liderit kriminel të kësaj partie në zyrë të kryeministrit e gjetiu nëpër Kosovë.

Kjo periudhë kohore brenda pak vitesh është një shembull i hyrjes së Kosovës në një vorbull të vetësakatimit të elementeve themelore të shtetësisë. Cenim i shtetësisë dhe sovranitetit, varësia ndaj Beogradit, dhe këto dyja së bashku si katalizator të dialogut që, me këto parakushte, solli vetëm ato që ishin të parashikueshme: nga “Zajednica” deri te “Dhurata e Rankoviqit”.

Trajektorja ishte e qartë: Serbia zotëronte terrenin, terreni kontrollonte negociatat, dhe negociatat dobësonin fuqinë e pushtetit në Prishtinë. Një pushtet i dobësuar, për të mbajtur veten në këmbë, vepronte gjithnjë e më shumë në dëm të shtetit. Kjo pra, ishte sëmundja autoimune e Republikës së Kosovës – një cikël i pafund varësie dhe kompromisi. Në këto rrethana, Kosova çdo ditë po e hante vetveten duke bërë kompromis me sovranitetin.

Çka paraqet momentumi i 14 shkurtit 2021, apo ardhja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Qeveri?

Nga ky dimension i qeverisjes, ardhja e LV-së në pushtet përfaqëson pikërisht shpërbërjen e këtij qarku të mbyllur vetëshkatërrues, në të cilin kishte hyrë vendi. Kjo ngjarje shënoi një përpjekje për të dalë nga cikli i pafundmë i varësisë dhe kompromiseve që kishte dobësuar shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Lexo më shumë  Shënohet Dita Botërore e Fëmijëve, Kurti: Fëmijët janë themelet e jetës

Mbështetja e madhe popullore e shprehur në zgjedhjet e fundit, nga ky dimension që po flasim, kishte dy goditje për të njëjtin objektiv: një goditje të jashtme dhe një të brendshme. Nga aspekti i jashtëm, qytetarët e Kosovës e shprehën qartë vullnetin e tyre: të largohet varësia e vendit nga Beogradi, varësia e qeverisjes nga Lista Serbe, dhe t’i jepet fund cenimit të përditshëm të sovranitetit dhe integritetit të shtetit për hir të ruajtjes së pushtetit.

Ndërkaq, paralelisht me heqjen e varësisë nga Beogradi, nga aspekti i brendshëm, populli i Kosovës kishte bërë një pikëprerje të qartë: qeverisje drejt do të ishte një qeverisje që nuk do të shantazhohej nga ata që ishin të shantazhuar.

Këto ishin dy anë të së njëjtës medalje, prej të cilave Republika e Kosovës kishte vendosur të pavarësohej. Dhe kështu ndodhi.

Duke i pasur duart e lira dhe të pastra, qëllimin e drejtë dhe vullnetin e hekurt, Qeveria Kurti ndryshoi realitetin në terren – fundamentin kryesor përmes së cilës Beogradi krijonte varësinë si në dialog ashtu edhe në formimin e qeverive në Prishtinë. Me këtë ndryshim drastik në terren, praktikisht nisi edhe fundi i asaj mendësie të dialogut që kishte përjetuar vendi ynë për vite me radhë: monologu i Beogradit. Rendi i gjërave u përmbys: më shumë rend dhe ligj në veri, më pak shantazh ndaj Republikës së Kosovës, dialog pa dëm dhe pazare, dhe aspak varësi nga Beogradi, duke mos i lënë asnjë mundësi këtij të fundit të përmbyste këtë transformim të traditës së dialogut me Kosovën.

Ky pavarësim nga varësia e kamotshme solli me vete edhe një sërë manifestimesh që ndonëse me forma dhe vende të ndryshme, kishin të njëjtin burim.

Me prishjen e rehatisë së bandave kriminale në veri të vendit, të cilat dirigjoheshin drejtpërdrejt nga Beogradi, filluam të shohim një mori veprimesh që synonin të demonstronin forcën e tyre në terren. Nga barrikadat dhe sulmet me armë të lehta e të rënda, deri te kulmimi i këtyre përpjekjeve me sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, që kishte për qëllim aneksimin përfundimtar të veriut të vendit. Kjo ishte shpërfaqja më direkte e dëshmisë së kontrollit të veriut, por një përpjekje e dështuar.

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u

Pas kësaj disfate, Serbia e modifikoi luftën duke filluar të përdorë goditje hibride në Prishtinë. Aktualisht, përmes materialeve të fabrikuara dhe ngjarjeve të inskenuara ajo po synon të godasë Qeverinë dhe rrjedhimisht edhe vetë Republikën e Kosovës.

E gjithë kjo zhurmë që sot dëgjojmë, si në Kuvendin e Kosovës, ashtu edhe në shumë studio televizive, nuk është një kritikë autentike, por jehonë e sikletit të madh që ka kapluar Beogradin gjatë këtyre katër vjetëve. Kjo jehonë e zhurmës, ndonëse e bezdisshme dhe e shoqëruar me shumë mjegull, është një manifestim tipik i thyerjes së ciklit të varësisë dhe kompromisit që përmendëm më herët. Ajo që sot duket si një infektim është në fakt beteja e fundit për shërimin e organizimit të shtetit tonë.

Kaluam nga zhurma e armëve në veri të Mitrovicës, te arma e zhurmës në Prishtinë.

Katër vjetët e mandatit të parë të Qeverisë Kurti, të qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u zhvillua betejë e përditshme pikërisht për të kaluar nga qeveritë e varura nga Beogradi te shtrirja e rendit dhe ligjit në terren, si dhe nga largimi i shantazhit të atyre që ishin vetë të shantazhuar në Prishtinë. Këto dyja ishin parakushtet për një qeverisje të pavarur dhe sovrane, ashtu siç vendosi populli më 14 shkurt 2021.

Qeverisja e drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshmoi se nuk i nënshtrohet presioneve për realizimin e “Zajednicës” apo ndarjes së Kosovës. Jo rastësisht, përpjekjet për realizimin e projektit të ndarjes së Kosovës në vitin 2020, ku Klubi i Stërvjetëruar Politik, Vuçiq dhe Grenell u bënë bashkë, kishin për parakusht rrëzimin e Qeverisë Kurti I.

Kështu do të vazhdojmë përpara – të pathyer në të drejtën dhe zotimet tona për një Kosovë ashtu siç e meriton. Zhurmat, burimi i të cilave është i qartë, nuk do të na ndalin. Tashmë është epoka e vetëvendosjes dhe konceptimit të sovranitetit të plotë./Koha.net

(Autori është zëdhënës i Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

Rruga Press

YouTube player