Kthimi i mbetjeve toksike të Kurum-it në Shqipëri, drejtori i rrjetit të “Bazelit”: Jemi të sigurt që janë lëndë të rrezikshme
Drejtori ekzekutiv i “Basel Action Network”, Jim Puckett, ka folur për anijen me 102 kontejnerë që është afruar Portit të Durrësit ditën e sotme. Në një deklaratë për mediat nga Durrësi, Puckett tha se është i sigurt që këto kontejnerë përmbajnë mbetje të rrezikshme, duke shtuar se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë.
“Jemi këtu me rastin arritjes së anijes me mbetej toksike me 102 kontejnerë. Presim që anija Moliva të arrijë prapa krahëve tonë dhe të ankorohet pasdite. Do të vinte sot në mëngjes në orën 8, por është kërkuar nga autoritetet të mbahet një km larg bregut. Kemi informacion që kemi kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje. Besoj se kjo shtyrje është për shkak se ju jeni të gjithë këtu. Besojmë se pasdite do të ankorohet, por nuk jemi të sigurt se çfarë do të ndodhë më pas.
Jemi në dijeni se ka një procedim penal nga Prokuroria për këtë çështje dhe shpresojmë që prokurorët të jenë këtu kur të vijë anija. Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun. Ka patur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente.
Jam 100% i sigurt se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë. Kemi shkuar te fabrika në Tajandë dhe e kemi parë atje. Kemi bërë ekzaminimet tonë dhe kemi gjetur mbetje toksike të rrezikshme, arsenik dhe plumb. Besojmë se e ka origjinën nga kompania e çelikut e vendosur në Elbasan prandaj janë bërë gjithë vëzhgimet e nevojshme”, tha Puckett.
Rruga Press