Kurti: Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO
Vizita në tri shtëpi tradicionale në Prizren, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i ka mjaftuar të konstatojë se Qendra Historike e këtij qyteti po bëhet gati për t’u nominuar për Listën Botërore të UNESCO-s. Ka renditur sukseset, investimet e përkushtimin.
“Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO” e ka titulluar postimit e së shtunës, një orë para mesnatës teksa ka bërë të ditur se tok me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë vizituar tri shtëpi tradicionale, të cilat janë restauruar rishtazi. “Familjet Kirajtani, Vetimi e Munik i falënderuam për përkushtimin ndaj mbrojtjes së vlerave edhe kur në të kaluarën ka munguar mbështetja shtetërore”, ka shkruar ai. Ka pasuar shpalosja e shifrave.
“Gjatë mandatit tonë, buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore”, ka shkruar në rrjete sociale. Ka thënë se pothuaj nuk ka komunë ku nuk është restauruar gjatë tre vjetëve e gjysmë. Sipas tij puna vazhdon.
Për kryeministrin Qeveria e “ndali degradimin e monumenteve, duke i vënë ato në shërbim të komunitetit dhe ekonomisë lokale”.
Rruga Press