Uncategorized

Votat për Shkodrën/ Pse e amnistoi SPAK Agron Çelën nga CEZ-DIA

Për të kyçur në burg Ilir Metën, SPAK ka bashkuar në një të vetëm disa dosje hetimore, që nga hetimet për aferën CEZ-DIA, nga përpjekja për të kapur tregun e fibrave optike, nga negociatat për të blerë një vilë, te pagesat e LSI për lobimin në SHBA dhe deri te lëvizjet e parave të çiftit Meta-Kryemadhi për blerjen dhe shitjen e disa shtëpive dhe pagesat e shkollës së fëmijëve.

Për të gjitha këto u kërkua masë ekstreme “arrest me burg” për Ilir Metën, por është bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh për personazhe të tjerë të dosjes, ish-bashkëpuntorë të tij që kanë pasur rol direkt në çështjet për të cilat ai hetohet.

Një prej tyre është Agron Çela, deputet i zgjedhur fillimisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Shkodër, por që në Janar të vitit 2023 kaloi me Partinë Socialiste.

Në dosjen e CEZ-DIA, SPAK e akuzon Ilir Metën se mori “përfitime të parregullta” pasi favorizoi Kastriot Ismailajn duke e rekomanduar si njeriun që ishte i përshtatshëm për mbledhjen e borxheve të kompanisë çeke CEZ.

Sipas dosjes së lexuar nga Lapsi.al prokurorët rendisin lëvizjet e 14 viteve më parë të Ilir Metës, qëndrimin e tij në hotelet në Çeki, udhëtimet në të njëjtin avion me Kastriot Ismailajn etj. Janë aty dëshmitë e ish-drejtorit të CEZ, Josef Hajsek, ato të ish-këshilltarit të Ministrisë së Ekonomisë, Ilir Ciko, që tregon prezencën e Ismailajt në vizitat në Çeki apo në mbledhjet e bordit të OSHE. Janë edhe intervistat e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt apo të gazetarëve që kanë publikuar përgjime të telefonit të Metës etj.

Të gjitha këto, sipas SPAK provojnë se ishte Ilir Meta që e futi Kastriot Ismailajn në biznesin e mbledhjes së borxheve dhe këtë e bëri në këmbim të “marrjes së një përfitimi të parregullt”.

Faksimile poshtë:

Por kur vjen tek mënyra se si u mor ky “përfitim i parregullt”, SPAK shpjegon se Kastriot Ismailaj me kompaninë e tij DIA nxirrte fatura fiktive për biznesmenë pranë Metës, të cilët paguheshin kot, për punime që nuk i kryenin.

Njëri prej tyre është edhe Agron Çela.

Me kompaninë e tij “Xhenis”, thotë SPAK, Agron Çela ka marrë para nga kompanitë e Kastriot Ismailajt dhe më vonë, në vitin 2013 u bë deputet i LSI. Faksimile më poshtë:

Lexo më shumë  Bislimi: Kosova shënoi zhvillim ekonomik krahas barrierave

Por kur Agron Çela është pyetur në SPAK në shkurt të vitit të kaluar, ai ka mohuar gjithçka. Dhe SPAK e ka besuar. Pra në dosjen e lexuar nga Lapsi.al, Çela thotë se nuk ka marrë para nga kompanitë e Kastriot Ismailajt dhe se nuk ka lidhje me kompanitë që i përmendin. Më poshtë është ajo pjesë nga dosja që tregon çfarë tha Agron Çela në prokurori.

• I pyetur mbi përfaqësuesin e shoqërisë B.T.T. SHPK NIPT: L06815002A, shtetasin Shpëtim Shehu, ka deklaruar se këtë emër nuk e ka dëgjuar më parë, nuk i kujtohet asnjë person me këtë emër.

• Lidhur me pyetjen nëse ndonjë nga shoqëritë tregtare të tij ka patur objekt veprimtarie importimin dhe shitjen e automjeteve, ka deklaruar se asnjë nga shoqëritë e tij nuk ka patur aktivitet në importimin dhe shitjen e automjeteve.

• Ka deklaruar se nuk ka patur asnjë kontratë të lidhur me shoqërinë DIA, nuk ka marrë asnje lloj pagese prej DIA-s dhe nuk nuk ka kryer asnjë lloj shërbimi për shoqërinë DIA.

• Ka deklaruar se Kastriot Ismailajn e ka njohur në rrethana kur vetë Agroni ishte president i Klubit të Futbollit të Vllaznisë dhe Kastrioti ishte shumë tifoz me skuadrën. Sikurse me çdo tifoz tjetër të skuadrës, është takuar edhe me Kastriotin në këto rrethana. Nuk ka patur asnjë lloj shoqërie apo lidhje tjetër me Kastriotin. Me sa i kujtohej, me Kastriotin nuk ka udhëtuar asnjëherë bashkë në ndonjë destinacion përveçse mundësisë që të kenë qëlluar në të njëjtin fluturim pasi në atë kohë vetë ai (Agroni) udhëtonte shpesh, ose mundësisë se ndonjë udhëtimi në rastet e ndeshjeve që mund të ketë patur klubi i futbollit të Vllaznisë.

• I pyetur mbi njohjen me shtetasin Ilir Metaj, ka deklaruar se që nga viti 2013 ka krijuar miqësi me të dhe në vijim ka kandiduar me partinë LSI, për deputet. Ka marrëdhënie miqësore dhe shoqërore me të nga ajo kohë deri me sot.

• Ka deklaruar se që nga viti 2013 është bërë anëtar i LSI, ka qenë drejtues politik i kësaj partie për Qarkun Shkodër. Nuk e ka financuar asnjëherë financiarisht partinë LSI.

Pas kësaj dëshmie mbyllet edhe roli i Agron Çelës në dosjen e SPAK, që ka lexuar Lapsi.al, por mbetet pa u sqaruar se si shkuan paratë tek Ilir Meta pasi Çela mohon gjithçka.

Lexo më shumë  Bislimi: Kosova shënoi zhvillim ekonomik krahas barrierave

Variantet logjike që rrjedhin nga dëshmia e tij janë dy. 1) Ose Agron Çela gënjen, pra jep dëshmi të rreme dhe për të ngrihet akuzë, si bashkëpuntor i Ilir Metës. 2) Ose Agron Çela, thotë të vërtetën se nuk ka marrë para nga DIA, rrjedhimisht ai e shfajëson Ilir Metën.

Por prokurorët e SPAK kanë proceduar sipas një varianti të tretë që përbën një nonsens. Ata e kanë besuar Agron Çelën për të cilin nuk është ngritur asnjë akuzë, ndërkohë që kanë futur Ilir Metën në burg duke e akuzuar se ka përfituar paratë nëpërmjet kompanive të Agron Çelës.

Ky handikap në logjikën juridike gjen shpjegim në logjikën e zhvillimeve politike kur u mor në pyetje Agron Çela në SPAK.

Në fund të vitit 2023, socialistët panë se kishin shansin të merrnin bashkinë e Shkodrës për shkak të një opozite të lodhur nga përplasjet e brendshme, që nuk e njihte gjykata dhe KQZ, ishte pa vulë dhe pa favoret që i njeh ligji për fushatën elektorale.

Agron Çela u thirr në SPAK në 14 Nëntor 2023. Në SPAK u vu përballë provave që kishin prokurorët (faksimile më lart) se kishte marrë paratë e Kastriot Ismailajt nëpërmjet kompanisë së tij “Xhenis”.

I gjendur nën presionin e arrestimit, deputeti vendos të kalojë me Partinë Socialiste. Një muaj pasi u mor në pyetje, pra në dhjetor të po atij viti, festoi natën e vitit të ri me Elisa Spiropalin dhe Benet Becin, i cili ishtë piketuar si kandidat për Bashkinë e Shkodrës.

Kapërcimi i papritur ishte një gur më shumë në peshoren e votave të Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e pjesshme të 7 Marsit në Shkodër, kandidatja socialiste Majlinda Angoni kishte humbur me rreth 1900 vota.

Ramës nuk mund t’i ikte ky shans nga duart për kaq pak vota. Agron Çela kishte me vete 2656 vota preferenciale, që i kishte marrë si deputet i LSI. Prandaj u fut në punë prokuroria.

Nonsensi në dosjen e SPAK merr kuptim. Llogaritë që Partia Socialiste bënte për votat në Shkodër shpjegojnë edhe llogaritë që bëri SPAK për ta amnistuar Agron Çelën për paratë që ka marrë nga Cez-DIA, por për të fajësuar Ilir Metën për të njëjtat para që i ka marrë Agron Çelës. /lapsi.al/

YouTube player