Kurti mori pjesë në ecjen tradicionale `Zbulimi i hershëm-Mbijetesë`
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në manifestimin tradicional informativo – kulturor me moton “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”, që u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova”, nën patronatin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, së bashku me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”.
Sipas njoftimit nga Qeveria, në këtë ceremoni, që mbahet në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, kryeministri Kurti u shoqërua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Pas fjalimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, dhe Drejtores së Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, kryeministri Kurti dhe të pranishmit, morën pjesë në ecjen tradicionale që filloi nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, thuhet në njoftim .
Ky manifestim, që po mbahet për të dhjetën herë më radhë, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit rreth kësaj sëmundjeje, por edhe për të shprehur mbështetjen ndaj kujtdo që përballet me kancerin.
“Kanceri i gjirit është i shërueshëm, atëherë kur zbulohet herët. Për dallim nga viti 2022, në vitet 2023 dhe 2024 mbi 52% e rasteve që janë diagnostikuar janë raste në fazën e parë dhe të dytë. Pra, kjo nënkupton që janë zbuluar më herët, dhe suksesi në trajtim është shumë më i lartë. Nga kanceri i gjirit preken edhe burrat, edhe pse më rrallë: 0.5-1% të rasteve të kancerit të gjirit ndodhin tek burrat, ndërsa 1 në 8 gra diagnostikohen me kancer të gjirit. Nga ky vit, mamografia bëhet falas në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Rruga Press