Një ndër pyetjet që shtrohet më së shpeshti në skenën politike është se si qëndrojnë partitë me përqindje. Për momentin, përfituesit më të mëdhenj janë “sondazhegjinjt”
Nga Xhevdet Pozhari
Një ndër pyetjet që shtrohet më së shpeshti në skenën politike është se si qëndrojnë partitë me përqindje. Për momentin, përfituesit më të mëdhenj janë “sondazhegjinjt”. Askush nuk mund ta dijë me saktësi disponimin e qytetarëve në këtë periudhë. Por, një analizë e thjeshtë shpjegon shumëçka.
Albin Kurti tashmë është veshur me petkun e pushtetarit në plotni. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes, opozitarizmin e tij të dikurshëm kemi pasur rast ta shohim veç ndaj ndërkombëtarëve kur presioni i tyre rritej ndaj Kosovës, e jo Serbisë, për përmbushjen e marrëveshjeve. Sigurisht, edhe në rastin e mosbindjes dhe kundërshtimeve, Kurti duhet ta ketë pasur parasysh se është duke e nënshkruar një kosto të lartë për fatin e tij politik në të ardhmen. Por, qëmoti Kurti është identifikuar si politikan që nuk mban gjithaq llogari për fatin personal dhe mbi të gjitha të rëndësishme e ka fatin kolektiv – trashëgiminë që do ta lë pas tij. Këtë qëllim të tij e kanë lexuar edhe shumë votues të cilët e përkrahin edhe në rastet kur ballafaqohet me presionin e Amerikës. Dikur një gjë e tillë ishte e paimagjinueshme. Gjatë qeverisjes së tij, Kurti e theu këtë tabu. Dëshmoi se mund mos të pajtohesh edhe me ndërkombëtarët kur në pyetje është fati i shtetit. Mënyra e tij e veprimit ishte: Cilido ndërkombëtar nuk mund të mendoj për fatin tënd më shumë sesa që je i gatshëm të bësh ti për shtetin tënd. Madje, edhe kur je shtet i vogël dhe i pafuqishëm, më e pakta që mund të bësh, është të kushtëzosh.
Opozita e kundërshtoi ashpër fillimisht. Por, gradualisht filloi mos ta përmend më Amerikën, jo pse donin ta kursenin Kurtin, por ngaqë nuk donin ta dëmtonin më shumë vetveten. Shumica e tyre e kuptuan se edhe opozitari më i ashpër i qeverisjes së Kurtit ishte pro veprimeve ligjore në veri.
PDK dhe LDK iu rreken temës së zhvillimit ekonomik, ndërsa paralelisht filluan t’i përflasin edhe aferat korruptive të kësaj Qeverie. Shpresa e tyre ishte që me çdo kusht të gjinden lidhjet e korrupsionit deri tek kreu më i lartë i shtetit. Por, edhe në këtë rast Kurti doli në avantazh. Askush në Kosovë nuk e beson rrëfimin për korruptimit e Kurtit. Kjo bindje u përforcua kur kryeministri tregoi sinjale të qarta se nuk do ta tolerojë askënd që gjatë qeverisjes mund të jetë korruptuar. Për ata që nuk e dinë, Kurti edhe bashkëpartiakëve të tij ua kanë thënë troç – cilido që e keqpërdor pushtetin, mua do të më ketë kundërshtarin kryesor. Pra, me pak fjalë “ndoshta mundeni, por mandej nuk mundeni!”
E, derisa tema e aferave korruptive thuajse nuk ka gjasa t’i ngjitet Kurtit, një pjesë e opozitës ka kaluar në sulmin për incizimet e bisedave me Listën Serpska. Edhe kjo nuk ia ka lënë shenjë këtij pushteti. Ata veçse kanë dhënë indikacione se sa i përket kësaj teme posedojnë materiale shumë më komprometuese për një pjesë të opozitës.
Në fund, mbetet “thembra e Akilit” – projektet e realizuara gjatë kësaj Qeverie dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Në këto tema, kryesisht Qeveria arsyetohet. Projektet e papërfunduara, veçanërisht ato të infrastrukturës rrugore, i bart si përgjegjësi tek keqpërdorimet të cilat kanë ndodhur në të kaluarën. Edhe në këtë rast, qytetarët mund të thonë “ok, le t’i japim më shumë kohë”. Sidomos nëse nuk janë të bindur me alternativat opozitare.
Pra, në të gjitha temat të cilat ka ngritur opozita deri më tani, Kurti është në avantazh të theksuar. Andaj, nuk është larg mendsh që të përsëritet ajo që tash është shndërruar në makth për opozitën – sërish Albin Kurti të qeverisë i vetëm.
Është veç një temë ku Vetëvendosje mund ta pësojë dhe opozitës i ka kaluar si elefanti para syve. Por, atë nuk do ta them! Le të lodhen dhe ta gjejnë vet.
Rruga Press