Ekspozita për rezistencën e shqiptarëve në Kosovë/ Kryeministri Kurti: Përmes ekspozitës publiku ndërkombëtar njihet nga histori autentike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë me dije se gjatë qëndrimit të tij në Berlin të Gjermanisë ka vizituar ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998” me kurator Shkumbin Brestovci.
Kurti ka theksuar se aty janë ekspozuar fotografi dhe materiale të tjera dokumentare, përmes së cilave publiku ndërkombëtar mund të njihet me një nga historitë më autentike të një rezistence paqësore kundër një regjimi të apartheidit në Evropë, çfare ishte ajo e popullit të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit XX.
Ai në një postim në ‘Facebook’ ka shkruar se kjo ekspozitë paraqet historinë e rezistencës paqësore dhe e shtetformimit në Kosovë gjatë dekadës së fundit para fillimit të luftës, pra nga viti 1988 e deri më 1998.
Po ashtu ai ka shkruar se rruga e ndjekur nga vendi ynë Kosova si dhe nga populli dhe liderët politikë të saj në të kaluarën, janë historia e domosdoshme prej nga nisemi për të ardhmen tonë politike krah vendeve të Bashkimit Evropian. E në këtë rrugë, shumçka kalon kah Berlini dhe Gjermania, vendi ynë mik dhe aleat sikur në vitet tona më të vështira, ashtu edhe sot kur synojmë integrimin dhe anëtarësimin në strukturat euro-atlantike.
Rruga Press