Politika e dyfishtë e Serbisë, Vuçeviqi prioritizon BE-në – Vulini synon aleanca me Rusinë dhe Kinën
Serbia vazhdon të luajë me politikën e saj duke u përpjekur të përfitojë nga Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kina dhe për këtë udhëheqësit e Serbisë i kanë të ndara rolet. Ndërsa në Bruksel kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se vendi i tij e sheh Bashkimin Evropian si “qëllim kryesor strategjik gjeopolitik”, zëvendësi i tij, Aleksandar Vulin, në një hark kohor të shkurtë kishte thënë se Serbia duhet të ketë marrëdhënie më të ngushta me Kinën dhe Rusinë.
Vulin që është i sanksionuar nga SHBA për korrupsionin dhe lidhjet e ngushta me Rusinë tha se nuk beson në Bashkimin Evropian dhe se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë qëndrim e thotë edhe vet Vuçeviq dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pavarësisht se BE e përsërit që ky është kushti kryesor që Serbia të bëhet anëtare e BE-së, gjë e cila tregon se deklarata e Vuçeviqit në Bruksel është vetëm për retorikë boshe. “Unë nuk do të ndryshoj politikën time dhe nuk do të ndalem së avokuari për bashkimin e serbëve, botës serbe, neutralitetin ushtarak dhe marrëdhëniet më të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Ndryshe nga SHBA dhe NATO, Rusia dhe Kina nuk na kanë bombarduar apo nuk na kanë kërkuar që ne ta njohim Kosovën ose të heqim dorë nga Republika Srpska”, ka thënë Vulin. Ndërkaq, Vuçeviq foli ndryshe në Bruksel ku tha: “E prezantova planin e Serbisë dhe thashë se Serbia mbetet e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, si qëllim kryesor strategjik gjeopolitik”. Serbia edhe këtë vit ka dështuar të përshtasë politikën e saj të jashtme me BE-në, një gjë që duhet ta bëjë çdo vend kandidat.
Në çështjen kryesore për luftën në Ukrainë, Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë dhe vazhdon të rezistojë për të mos prishur raportet me aleatin e saj tradicional. Serbisë iu kërkua nga Bashkimi Evropian që të qartësojë synimet e saj për të tashmen dhe aq më tepër për të ardhmen e saj sepse duhet të zgjedhë mes Rusisë e Bashkimit Evropian.
Megjithë paralajmërimet, Vulin kishte udhëtuar për në Rusi për të takuar Vladimir Putinin dhe për këtë kishte reaguar BE në shtator të 2024-ës. Komisioni Evropian kishte thënë se nuk e pëlqen udhëtimin e zëvendëskryeministrit serb Aleksandar Vulin në Rusi dhe takimin e tij me presidentin Vladimir Putin dhe paralajmëron se zgjedhjet që janë shumë pro-ruse mund të mbyllin dyert e BE-së për Beogradin, duke bllokuar efektivisht procesin e pranimit.
“Nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, Rusia shkel statutin e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar mbi të cilin është themeluar Bashkimi Evropian dhe përafrimi me Rusinë nuk është në përputhje me parimet e BE-së dhe në kundërshtim me atë që kërkon anëtarësimi në BE”, e bënte të qartë Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.
Misioni institucional i kryer nga Vulin “bie ndesh me objektivin e deklaruar të anëtarësimit në BE” dhe nga Brukseli vjen një thirrje e qartë që “të përmbahen nga forcimi i lidhjeve me Rusinë”. Megjithatë, kjo kërkesë përbënte edhe një kërcënim. Papajtueshmëria e politikave të Beogradit me vlerat e BE-së do të thotë se BE-ja duhet të rishqyrtojë procesin e anëtarësimit, që do të thotë kërcënim për ta pezulluar atë, siç ka filluar të bëjë ekzekutivi i BE-së me Gjeorgjinë. Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe, në mars 2012, mori statusin e vendit kandidat. /TheGeopost/
Rruga Press