KryesoreLajme

Von der Leyen mirëpret zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA dhe përparimin e statusit të përfaqësimit të Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA dhe përparimin e statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm rajonal të bashkëpunimit.

Gjatë samitit të Procesit të Berlinit, ajo përmendi gjithashtu heqjen e kufizimeve për hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, duke theksuar se këto veprime janë të dobishme për procesin e normalizimit në Ballkanin Perëndimor.

“Procesi i Berlinit është bërë promotor i tregut rajonal ekonomik të përbërë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Është thelbësore që ky treg i përbashkët rajonal të funksionojë në mënyrë të lehtë, pasi u mundëson kompanive të rajonit të tregtojnë dhe të krijojnë vende pune. Rajoni është afër nesh dhe tregut tonë të përbashkët,” tha von der Leyen, duke përgëzuar marrëveshjen e arritur në CEFTA javën e kaluar, veçanërisht pezullimin e kufizimeve për eksportet nga Serbia në Kosovë.

Lexo më shumë  Murati: Qeveria e frenoi inflacionin. Publikohet tabela se si Kosova qëndron në raport me shtetet e tjera

Ajo gjithashtu falënderoi kancelarin gjerman Olaf Scholz për rolin e tij ndërmjetësues, duke theksuar se ky është një hap për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, von der Leyen njoftoi se pesë nga gjashtë agjendat e reformave të vendeve të rajonit do të miratohen këtë javë nga BE-ja.

Ajo shtoi se pagesat e para nga pakoja prej 6 miliardë eurosh do të bëhen para përfundimit të vitit.

Lexo më shumë  Duhet protestuar për pensionet!

“Na duhet një urë ndërmjet tregut të përbashkët rajonal dhe tregut të vetëm evropian. Kjo urë është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë euro investime. Plani i Rritjes dhe Procesi i Berlinit janë të ndërlidhur. Me këtë plan, ne hapim disa sektorë të tregut të vetëm, por për ta shfrytëzuar këtë hapje, Ballkani Perëndimor duhet të bëjë reforma në nivel horizontal,” theksoi von der Leyen.

YouTube player