Maqedonci: Militarizimi i Serbisë, tregues i qasjes hegjemoniste ndaj Kosovës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ushtria serbe po e arsyeton prezencën pranë territorit të Kosovës me justifikime të paqëndrueshme, duke përmendur ushtrimet ushtarake.
Ai ka thënë të dielën se militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe vendosja e kapaciteteve në jug të saj, është tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.
Për arsyetimin e Serbisë se ushtarët po pengonin prerjen ilegale të pyjeve, Maqedonci tha se është kamuflazh pasi për këtë çështje në Serbi janë rojet e pyjeve.
“Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, thuhet në reagimin e ministrit të Mbrojtjes.
Ai ka shtuar tutje se Kosova qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj euroatlantik.
“Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, është shprehur tutje Maqedonci.
Rruga Press