Bota

Ushtria e Tajvanit në gatishmëri të lartë ndërskohë që Kina nis stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth ishullit

Kina ka nisur stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit duke simuluar sulme ndaj objektivave detare dhe tokësore.

“Stërvitjet do të testojnë aftësitë e operacioneve të përbashkëta të Komandës së Teatrit Lindor të ushtrisë kineze dhe do të shërbejnë si një paralajmërim i ashpër për aktet separatiste të forcave të pavarësisë së Tajvanit”, tha zëdhënësi i komandës, Li Xi.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka “dënuar një sjellje të tillë irracionale dhe provokuese”, duke shtuar se kishte dërguar trupa për t’iu përgjigjur dhe mbrojtur Tajvanin.

Sipas një deklarate nga zyra presidenciale e Tajvanit, Lai Ching-te ka organizuar një takim të sigurisë kombëtare për të diskutuar përgjigjen e Tajvanit në këtë rast.

“SHBA është seriozisht e shqetësuar”, tha në një deklaratë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, duke shtuar se “provokimet e Kinës rrezikojnë përshkallëzimin”.

Megjithatë, stërvitjet nuk ishin të papritura, shkruan the Washington Post

Megjithëse analistët e karakterizuan fjalimin e Lait javën e kaluar si relativisht të përmbajtur, ka pasur një pritshmëri në rritje që Kina do ta përdorte këtë si një katalizator për të nisur më shumë stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, siç ka bërë gjatë momenteve të tjera të ndjeshme politike.

Lexo më shumë  Seuli: Rusia, raketa kundërajrore Koresë së Veriut në këmbim të ushtarëve

Në maj, pas inaugurimit të Lait, Kina nisi stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë si “ndëshkim për aktet separatiste”, duke i quajtur stërvitjet “Shpata e përbashkët 2024-A”.

Kategorizimi “A” ngriti spektrin se do të kishte një vazhdim “B” disa herë këtë vit.

Komanda e Teatrit Lindor, pjesa e ushtrisë kineze që mbikëqyr një zonë duke përfshirë Tajvanin, tha se stërvitjet “Shpata e Përbashkët 2024B” përfshijnë një breshëri anijesh dhe aeroplanësh “në afërsi dhe nga drejtime të ndryshme” me Tajvanin.

“Ato janë krijuar për të testuar patrullën e gatishmërisë luftarake detare-ajrore, bllokimin në portet dhe zonat kryesore, sulmin ndaj objektivave detare dhe tokësore, si dhe kapjen e përbashkët të epërsisë gjithëpërfshirëse”, tha komanda në deklaratë.

Lexo më shumë  Rusët gjatë këtij viti kanë bombarduar “aksidentalisht” 150 herë territorin e vetë

Roja Bregdetare e Kinës njoftoi gjithashtu se dërgoi anije për të rrethuar ishullin kryesor të Tajvanit, hera e parë që Kina e bën këtë në një stërvitje ushtarake kundër Tajvanit.

Ndërkohë, Roja Bregdetare e Tajvanit deklaroi se ka ngritur një qendër reagimi dhe paralajmëroi se veprimet e Kinës kanë “ndikuar rëndë paqen në ngushticën e Tajvanit dhe stabilitetin rajonal”.

Ndryshe, Partia Komuniste Kineze e konsideron ishullin territor të saj dhe kërcënon rregullisht të marrë kontrollin me forcë nëse Taipei shpall pavarësinë formale.

Pak përpara stërvitjeve, Komanda e Teatrit Lindor të Kinës postoi një video të shkurtër dramatike në rrjete sociale, duke treguar aeroplanët e saj luftarakë, anijet luftarake dhe raketat lëshuese në veprim.

“Trupat janë gati për betejë gjatë gjithë kohës dhe mund të luftojnë në çdo kohë”, thuhej në mbishkrimin e saj.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit publikoi gjithashtu videon e saj: “Ne e forcojmë vullnetin tonë dhe përgatitemi për konflikte që nuk i kërkojmë”, thuhej në video.

Rruga Press

YouTube player