E gjithë evropa e kritikon për autokraci dhe lidhje me Putinin, ndërsa Rama i thur lavde Orbanit: Jeni shembull për reformat
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një vizitë zyrtare në Hungari. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin autokrat Viktor Orban, Rama zbuloi dhe dy marrëveshjet që u nënshkruan mes dy vendeve në fushën e bujqësisë dhe administratës publike.
Rama falënderoi Hungarinë për mbështetjen e dhënë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe shtoi se Tirana e shikon Budapestin si një model për aplikimin e reformave, madje edhe duke e justifikuar Orbanin për sjelljen e tij që kritikohet nga të gjithë vendet e BE-së.
“Të gjithë e dimë që Viktor Orban është më i lehti për t’i hedhur fajin për çfarëdo që ndodh në botë, por për mua Orban është personi më i këndshëm për të folur për gjërat në botë. Kam kënaqësinë të shpreh mirënjohjen time të thellë për atë që ka bërë presidenca e Këshillit të BE-së për ne, duke bërë të mundur që pas disa ditësh ne të hapim një grup të tërë kapitujsh për negociatat. Ne do të hyjmë në një fazë integrimi që është e përparuar.
Është momenti për të falënderuar dhe dikë tjetër që nuk është pjesë e qeverisë hungareze, Komisionerin Varhelyi, që na ka shoqëruar këto 4 vite në këtë progres.
Është kënaqësi të vij në Budapest, pasi ne gjithmonë e kemi parë Hungarinë si shembull për reformat e brendshme të ndërmarra.
Edhe sot ne biseduam se si mund ta zgjerojmë këtë bashkëpunim që është ndihmesë me një drejtim nga pala hungareze drejt nesh. Sot nënshkruam dy marrëveshje mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe në fushën e administratës publike. Përvoja e Hungarisë për ne është shumë e rëndësishme. Ne folëm dhe për investimet dhe i thashë kryeministrit se ndihemi të nderuar që numri i investimeve që vijnë nga Hungaria është i pazakontë. Bëhet fjalë për 350 milionë euro, që është një shifër domethënëse për ekonominë tonë”, tha Rama.
Është shqetësues fakti që ftesa e Ramës për të hapur Shqipërinë për investime hungareze, hap derën edhe për rritjen e influencës ruse në vend, duke ditur që Orbani është i vetmi drejtues i një shteti evropian i cili nuk e sheh Putinin si problemin e luftës në Ukrainë.
Rruga Press