Në prezencën e kryeministrit dhe shumë krerëve të tjerë politikë, u bë hapja e edicionit të 20-të të DokuFest
Të premten edhe zyrtarisht ka nisur edicioni i 20-të i festivalit të njohur të filmit, DokuFest.
Mbrëmja e zhvilluar në qytetin e Prizrenit mirëpriti filmbërës nga mbarë bota, figura të njohura publike e krerë të shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pa në rreshtat e parë të natës hapëse të festivalit, gjersa pranë tij ndodheshin edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Ky i fundit publikoi në rrjetin social Facebook disa fotografi nga hapja solemne e DokuFest, duke i përgëzuar organizatorët për organizimin e sivjetmë të festivalit.
“Sonte në ceremoninë e hapjes së edicionit të 20-të të Festivalit Dokufest! Fryma të cilën e sjell ky festival në Prizren, është e papërshkrueshme. Dhjetëra mijëra vizitorë nga e gjithë bota, dokumentarë, filma, debate, masterclass’e e performanca muzikore. Këto do të mbizotërojnë në Prizren nga sot, e deri më 14 gusht! Falënderoj gjithë organizatorët e Dokufest-it, të cilët e kanë vendosur Prizrenin në hartën kulturore të rajonit, por edhe të Evropës, duke bërë kështu një promovim shumë të çmueshëm për Prizrenin, por edhe për Kosovën. Si Komunë e Prizrenit do të jemi mbështetës të pakursyer të këtij festivali”, ka shkruar Haskuka në Facebook.
Rruga Press
DokuFest njihet si një nga festivalet më të mëdha të filmit në vend, i cili me vite i ka rezistuar kohës.