Kosova me tri xhudiste në Grand Slamin në Abu Dabi
Erza Muminoviq, Flaka Loxha dhe Dëbora Gjakova do ta prezantojnë Kosovën në garën Grand Slam të xhudos që prej të premtes deri të dielën mbahet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pritet pjesëmarrja e 221 xhudistëve nga 29 vende të ndryshme.
Sa i takon xhudisteve të Kosovës, gara është me peshë për të fituar pikë të shumta në ranglistën botërore dhe po ashtu për të fituar përvojën e nevojshme në garat e nivelit të lartë. Garat Grand Slam janë prej më të mëdhave në sportin e xhudos.
Të premten garojnë Erza Muminoviq në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë. Të shtunën në tatami del Dëbora Gjakova, që garon në kategorinë deri 63 kilogramë.
Erza është bartësja e gjashtë, Flaka bartësja e katërt, ndërsa Dëbora nuk është në mesin e bartëseve.
Grand Slami në Abu Dabi është gara e dytë e Turit Botëror të Xhudos pas Lojërave Olimpike. Në Grand Prix në Zagreb, një muaj më parë, Flaka Loxha fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë.
Xhudistët kryesorë të Kosovës, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu e Akil Gjakova nuk janë kthyer ende në gara pas Lojërave Olimpike.
Xhudistet në Abu Dabi do t’i udhëheqë Majlinda Kelmendi.
Rruga Press