Lajme

Bizneset e familjet në Tiranë do paguajnë 17 mln euro më shumë taksa

Bashkia e Tiranës planifikon të mbledhë këtë vit një rekord të ardhurash nga taksa e ndërtesës, sidomos nga bizneset, si rrjedhojë e aplikimit të çmimeve të reja të referencës, që filloi të zbatohej nga korriku i vitit të kaluar, duke shtuar automatikisht detyrimin për këtë taksë.

Sipas raportit të realizimit të buxhetit për 8 mujorin, të Bashkisë Tiranë, për vitin 2024, Bashkia TIranë pret të mbledhë 3.8 miliardë lekë nga taksa e ndërtesës, nga e cila 2.9 miliardë lekë (77%) nga bizneset dhe 869 milionë lekë nga familjet. Kjo shumë është 80% më e lartë sesa mesatarja vjetore që është mbledhur përgjatë 2018-2023 nga bizneset e familjet, që rezulton 2.1 miliardë lekë. Në vlerë, bizneset dhe familjet do të paguajnë 1.7 miliardë lekë (17 milionë euro) taksë ndërtese këtë vit.

Realizimi faktik, për 8 mujorin 2024, ndërkohë ka qenë gati 2.5 miliardë lekë, ose rreth 20% se mesatarja vjetore  e 2018-2023.

8 mujori, rritje e lartë për bizneset

Sipas të dhënave për buxhetin faktit të 8 mujorit, rritja më e lartë e arkëtimeve në 2024 për taksën e ndërtesës është për subjektet tregtare.

Për kategorinë e biznesit arkëtimet faktike të 8 mujorit janë 2 miliardë lekë (20 mln euro) sipas të dhënave të raportit të monitorimit për realizimin e treguesve të buxhetit për këtë periudhë. Krahasuar me mesataren vjetore vitin 2023 arkëtimet e periudhës janar-gusht 2024 janë rritur 11%.

Shtimi i arkëtimeve të taksës mbi ndërtesën për këtë kategori ishte i pritshëm, pasi rritja e çmimeve fiskale për 32 zonat kadastrale të Tiranës, shtoi detyrimin e bizneseve nga 5 deri 91% (sipas llogaritjeve të Monitor për 32 zonat kadastrale duke marrë shembull një njësi tregtare me sipërfaqe 100 m2).

Lexo më shumë  Hapet shkolla shqipe në komunën Saxon të Zvicrës

Krahasuar në vlerë taksa vjetore e ndërtesës që u pagua nga bizneset, pas rritjes së çmimeve fiskale është gati 9 herë më tepër se pagesat e familjarëve për taksën e ndërtesës.

Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.

Po ashtu teksa për familjarët detyrimet e reja për taksën mbi ndërtesën u reflektuan nga agjenti i Ujësjellës- Kanalizimeve që në faturat e ujit të pijshëm të muajit gusht 2023. Për subjektet e biznesit bazuar dhe në orientimet e marra nga Ministria e Financave, nga drejtoria e tatim-taksave vendore, ngarkimi i detyrimeve për periudhën gusht -dhjetor 2023 u përcaktua që të bëhet me detyrimet e vitit 2024.

Për kategorinë e familjarëve arkëtimet e 8 mujorit 2024 rezultojnë se kanë arritur 460 mln lekë apo sa 53% e vlerës së parashikuar për t’u arkëtuar në 2024. Arkëtimet e 2024-s parashikohen të shtohen 30% krahasuar me 2023. Sipas llogaritjeve të Monitor (duke marrë shembull një apartament me sipërfaqe 90 m2) individëve nga ndryshimet e çmimeve fiskale iu shtua pagesa vjetore e taksës nga 5% deri në 76%.

Për vitet 2018-2022 ecuria e arkëtimit të taksës për ndërtesën rezulton të ketë qenë në nivele gati të njëjta arkëtimesh, në rreth 2-24 miliardë lekë në vit. Përjashtuar vitit 2020 ku arkëtimet për biznesin ranë 14% krahasuar me 2019-n për shkak të vendimit për uljen e detyrimit për sektorin e hotelerisë në masën 30% për detyrimin vjetor të kësaj takse.

Lexo më shumë  Skandal në Kuvendin e Shqipërisë/ Garda mbi ligjvënësit, deputetët e opozitës nuk lejohen të hyjnë në Komisionin Hetimor të Sterilizimit

Pjesa e detyrimeve të papaguara në vitin 2020 u arkëtua në vitin 2021 duke pasur nivelin më të lartë të arkëtimeve krahasuar me vitet e mëparshme. Ndërsa shtimi i arkëtimeve në 2023 erdhi pasi ndryshimet e detyrimit për kategorinë e familjarëve u reflektuan nga agjenti në faturat e ujit të pijshëm që në muajin gusht 2023.

Pas taksës së ndikimit në infrastrukturë, taksa mbi ndërtesën është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë Tiranë për vitin 2024 dhe përbën mesatarisht 21% të totalit të të ardhurave të veta.

Ndryshimet e vendimit të 2018-s të botuara në fund të muajit korrik 2023 që hynë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare rritën çmimet fiskale të apartamenteve për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga 5 deri 76%.

Ndërsa për 5 njësitë administrative, si: Dajt, Farkë, Kashar, Petrelë dhe Pezë çmimet fiskale u shtuan nga 29 deri 60% më shumë se 2018. Për 67 bashkitë e tjera të vendit çmimet e referencës së apartamenteve mbetën të pandryshuara.

Rritja e çmimeve fiskale shtoi automatikisht detyrimin e pagesës vjetore të taksës mbi ndërtesën, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit. Për të dyja kategoritë pushteti vendor e llogarit vlerën e ndërtesës (si për banim dhe për aktivitet tregtar) sipas çmimeve mesatare të referencës. Për shtëpitë e banimit niveli i taksës është 0,05% e vlerës, ndërsa për njësitë tregtare 0,2%. /MONITOR

Rruga Press

YouTube player