Kosova më e suksesshmja në Kampionatin Ballkanik të xhudos për të rinj
Kosova u paraqit me 12 xhudistë në Kampionatin Ballkanik për të rinj, që të shtunën e të dielën u mbajt në Tiranë.
Në fund xhudistët e Kosovës ishin më të suksesshmit, ndonëse vendet tjera kishin numër dukshëm më të madh të pjesëmarrësve.
Kosova, si asnjë vend tjetër ballkanik, i fitoi katër medalje të arta. E fitoi po ashtu një medalje të bronztë.
Nga tri medalje ari i kishin Rumania, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Rumania u prezantua me 17 xhudistë deri në 21 vjet, Mali i Zi me 21 xhudistë e Bosnjë-Hercegovina me 18 xhudistë.
Medalje të artë fitoi vetëm edhe Bullgaria – një.
Kanë garuar edhe xhudistë të Turqisë, Moldavisë, Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Qipros.
Medalje të arta fituan Estea Arifaj në kategorinë deri 48 kilogramë, Enise Zijade në kategorinë deri 57 kilogramë, Andi Reshitaj në kategorinë deri 60 kilogramë dhe Muhamedin Veseli në kategorinë deri 66 kilogramë. Sidorela Dodaj fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë.
Kosova e ka xhudon më të zhvilluar në regjion. Dhe këtë e dëshmon vazhdimisht edhe në Kampionate Ballkanike.
Rruga Press