Lajme

TVSH vë në vështirësi edhe biznesin e lëngjeve të frutave

Në vitin 2020, Saimir Canaj nga Shkodra, themeluesi i kompanisë “Canaj”, përfundoi ngritjen e fabrikës moderne të përpunimit dhe prodhimit të lëngjeve të frutave në fshatin e Tamarës, në Malësinë e Madhe. I pranishëm në tregun shqiptar që prej vitit 1994, me kompaninë e shpërndarjes së produkteve ushqimore, biznesmeni Canaj investoi në këtë zonë për ngritjen e fabrikës së lëngjeve të frutave, e cila shumë shpejt do të eksportojë në vendet e rajonit, BE-së dhe kontinentet e tjera.

“Cilësia e ujit shkëmbor që rrjedh nga lartësia 1,561 metra mbi nivelin e detit nga vargmalet e Alpeve shqiptare dhe maja e Sokolit në Malësinë e Madhe, punësimi i banorëve të zonës, por edhe përpunimi i frutave të egra që kultivon zona si: boronicë, thanë, manaferrë dhe shegë e egër janë arsyet pse vendosëm të ngrinim fabrikën më të madhe të Ballkanit për prodhimin e lëngjeve të frutave në fshatin e Tamarës”, pohon për “Monitor”, drejtoresha e përgjithshme e kompanisë, znj. Suela Canaj. Përveç zgjerimit të kontratave të eksportit, prioritet i drejtuesve të fabrikës është shtimi i linjave të prodhimit, siç është ajo e reçelit dhe salcës së domates.

Prodhimi i lëngjeve të frutave prej 2014-s, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, është rritur nga viti në vit. Në vitin e pandemisë, 2020, prodhimi pësoi rënie të lehtë në raport me 2019. Nga 176,169 Hl lëngje frutash që u prodhuan në 2019, një vit më pas, sasia e prodhuar ishte 174,570 Hl. Konsumi plotësohet në pjesën më të madhe nga prodhimi vendas, në mbi 80% të tij, sipas të dhënave nga Doganat dhe Ministria e Bujqësisë.

Industrialistët pohojnë se nga fillimi i pandemisë nuk vuajnë gjetjen e lëndës së parë, por shqetësuese për ta është rritja e kostove të prodhimit në 2019 me ndryshimin e skemës së TVSh-së, nga çmimi i lartë i energjisë dhe shtrenjtimi i imputeve bujqësore në tregjet e huaja, për shkak të krizës nga Covid-19.

Për shkak të ndryshimeve të skemës së TVSH-së dhe çmimit të lartë të energjisë, përveç sektorit të përpunimit të qumështit, rritjen e kostos së prodhimit po e vuajnë edhe prodhuesit e lëngjeve të frutave. Nga 2019-a, nisi zbatimin skema e re e TVSH-së për rimbursimin, nga 20% që ishte më parë në 6% për agroindustrialistët të cilët grumbullojnë mallra nga fermeri shqiptar.

Rritja e kostove të sektorit vjen në një kohë kur kërkesa për lëngje të frutave është e lartë (kërkesa për lëngun e shegës është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë). Në anën tjetër, në tregjet botërore është rritur me 30% çmimi i imputeve bujqësore. Përveç çmimit të lartë, vështirësi ka edhe në gjetjen e ambalazhimit të shisheve të qelqit që porositen nga jashtë. Rritja e çmimit të lëndëve të para për ambalazhim ka ardhur më së shumti nga hapja e menjëhershme pas kufizimeve të gjata në ekonominë globale, duke rritur kërkesën përballë mundësive të pakta të furnizueseve.

Industrialistët e lëngjeve të frutave ngrenë si shqetësim edhe shpopullimin e zonave rurale. Emigrimi dhe largimi drejt qytetit të banorëve të këtyre zonave ka krijuar boshllëk të madh në krahun e punës. Në sezonin e vjeljeve të frutave, kultivuesit janë të detyruar të marrin punonjës larg zonave ku janë plantacionet e të mbjellave. Përfaqësues të kompanive përpunuese të frutave shprehen se kjo ka ndikuar në rënien e prodhimit, tendencë e cila u theksua më shumë në muajt e karantinës në 2020-n.

Shtrenjtohen kostot e prodhimit nga ndryshimet e TVSh-së

Prodhimi vendas i lëngjeve të frutave në 2020 zinte 86% të tregut, kurse pjesa e mbetur plotësohej nga importi. Tendenca ka qenë e njëjtë edhe në vitet e tjera. Në 2019-n, prodhimi vendas zinte 85% të konsumit. Namik Shehi, administratori i kompanisë “Kop Frut”, në Dibër, thotë për “Monitor” se për të mbijetuar po “shtrydh” fitimet e kompanisë, pasi kostot e prodhimit të lëngjeve të frutave janë shtrenjtuar. Arsyeja kryesore e rritjes së kostove është ndryshimi i skemës të TVSH-së që nisi zbatimin në 2019.

“Kostot e prodhimit të lëngjeve të frutave aktualisht janë shumë të larta dhe rriten dita-ditës. Arsyeja e rritjes së kostove është skema e faturimit të TVSH-së që nisi zbatimin në 2019 dhe çmimi i lartë i energjisë. Në momentin kur ne blejmë frutat nga fermeri, automatikisht jemi 14% TVSH plus duke shtuar edhe 20% TVSH-në e blerjes.

Totali i TVSH-së që paguajmë është 34%. Skema e re është abuzive dhe antikushtetuese. Për këto arsye, duhet ndryshojë. Qeveria duhet të kthejë skemën e mëparshme. Për çdo ndryshim që bëhet, duhet të konsultohen me grupet e interesit, pasi industria jonë po vuan kosto të rënda”.

Shtrenjtimi i kostove nga ndryshimi i skemës së rimbursimit të TVSH-së ka favorizuar rritjen e importeve. Përfaqësuesi i kompanisë “Kop Frut”, në Dibër, thotë se është më e leverdishme që frutat të sillen nga jashtë. “Nëse lënda e parë importohet, TVSH-ja rimbursohet 20%, pasi është mall që blihet. Me ndryshimet e skemës, industrialistët vendas janë penalizuar”, thekson z. Shehi. Në 2019-n, kur nisi zbatimin skema e re e TVSH-së, importet e lëngjeve të frutave, sipas të dhënave të Drejtorisë të Doganave, u rritën 9% në raport me 2018. Në vitin 2020, për shkak të kufizimeve që shkaktoi pandemia, importet ranë 9%.

Rritja e kostos së prodhimit nga ndryshimet e skemës së TVSH-së është shqetësuese edhe për Shpëtim Osekun, nga grupi “Agro Iliria”, i cili përpunon lëngun e shegës. Ai parashikon se do të ketë vështirësi me skemën e TVSH-së, pasi përveç produktit të kultivuar në fermë, do të jetë i detyruar të blejë edhe nga fermerët në 2022, kur do të nisë investimin për fabrikën e përpunimit të frutave.

“Deri tani nuk e kemi ndier ndryshimin e skemës së TVSh-së, pasi përpunojmë shegën e kultivuar nga ferma. Vitin tjetër parashikojmë të rrisim prodhimin e lëngut të shegës, pasi nga pandemia kërkesa është shumë e lartë. Për këtë arsye do të jemi të detyruar të furnizohemi nga fermerët dhe skema e rimbursimit të TVSH-së do të na prekë edhe ne”, – tha z. Oseku, i cili zotëron fermën me hapësirë prej 800 hektarësh në zonën e Karavastasë së Re.

Lexo më shumë  Ish-presidenti shqiptar për sulmin në Banjskë: Dihet botërisht që u organizua nga Beogradi

Në prill të vitit 2018, Këshilli i Investimeve Strategjike i dha “Agro Ilirisë” statusin e investitorit strategjik për një vlerë fillestare investimi 6,6 milionë euro. Bëhej fjalë për një hapësirë fillestare prej 800 hektarësh, ku kompania kishte aplikuar dhe përfituar tokën me kontratën 1 euro, për ta shfrytëzuar për 99 vjet.

Efektet e kostove nga ndryshimet e skemës ende nuk po ndihen nga fabrikat e reja të përpunimit të frutave. Drejtoresha e kompanisë “Canaj”, Suela Canaj, thotë se fabrika është ngritur në 2020 dhe për këtë arsye, ende nuk mund të jepet një opinion mbi ndryshimet.

Prodhuesit penalizohen nga çmimi i lartë i energjisë

Çmimi i lartë i energjisë dhe shtrenjtimi i ambalazhimit në tregjet e huaja janë të tjerë faktorë që kanë ndikuar te rritja e kostos së prodhimit të lëngjeve të frutave.“Për shkak të çmimit të lartë të energjisë, shumë frigoriferë janë jashtë funksionit, pasi nuk mund të përballojmë faturën e lartë të energjisë. Kostoja e ruajtjes së 1 kg mollëve në frigorifer për 6 muaj është 70 lekë.

Pandemia krijoi pasiguri te shumë investitorë të huaj. Për shembull, në sektorin tonë, fabrikat e huaja nga ku furnizohemi për shishet e qelqit reduktuan prodhimin, pasi ndiheshin të pasigurta për ecurinë e ekonomisë nga kriza e Covid-19. Kjo na detyroi të krijonim stoqe, pasi nuk kishim asnjë siguri nëse fabrikat e huaja do të prodhonin”, – thotë z. Namik Shehi nga kompania “Kop Frut” në Dibër.

Shtrenjtimi i kostove aktualisht po përballohet nga vetë industria, duke reduktuar fitimet dhe duke mos ndryshuar çmimet e shitjes për konsumatorin. Me rritjen e kostove për shkak të TVSH-së, çmimit të lartë të energjisë që paguajnë 16,5 lekë kwh dhe parapagimet për shishet e qelqit, administratori i kompanisë nuk parashikon rritje të xhiros për muajt e ardhshëm. “Që xhiroja të rritet, duhet të rritet gama e konsumatorëve. Fasha e blerësve është e qëndrueshme, nuk ka shënuar rritje, pasi nevojiten edhe fonde marketingu. Këtë vit, kërkesa duhej të ishte me rritje, por vazhdon të jetë stabël, siç ishte vjet dhe para pandemisë në 2019”, nënvizon z. Shehi.

Rritja e kostove shtrenjtoi dhe bulmetin

Rritja e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të ambalazhimit plastik, energjisë elektrike dhe ndryshimit të skemës së rimbursimit të TVSH-së ishin arsyet që detyruan përpunuesit e qumështit të rrisnin çmimet e produkteve të bulmetit. Nga 1 korriku, kompania “Erzeni” nisi zbatimin e rritjes së çmimeve për konsumatorët.

“Arsyet e rritjes së çmimit janë kostot e larta të prodhimit për shkak të rritjes 10% të lëndës së plastikës dhe çmimit të energjisë pas vendimit për daljen në treg të lirë. Rritja e çmimit të plastikës ka ardhur për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë në tregjet e huaja dhe nga furnizuesit, rritja u lajmërua tre muaj më parë. Shpenzimet vjetore të plastikës janë rreth 15 milionë lekë në vit, ndërsa për energjinë elektrike, mbi 15 milionë lekë. Për sa i përket çmimit të energjisë, nga 1 korriku do të paguajmë 13,5 lekë/kw nga 9 lekë/kw. Përfunduam kontratën 2-vjeçare për furnizimin në treg të lirë me çmim 9 lekë/kw dhe nga 1 korriku, çmimi do të jetë 30% më i lartë.

Aktualisht, në verë, ne konsumojmë 3 deri në 4 milionë lekë energji. Me këtë rritje, çmimi do të paguajmë nga 900 mijë deri 1,2 milionë lekë më shumë në muaj. Për këtë arsye, çmimet e produkteve të freskëta, si qumështi, kosi dhe djathi i lopës do të rriten 8 deri në 10%, pasi kostoja e prodhimit të tyre është e papërballueshme”, pohoi më herët për “Monitor” përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, z. Saimir Begaj.

Efektet e pandemisë te prodhuesit e lëngjeve të frutave

Kompania “Kop Frut”, në Dibër, prodhon lëngje molle, portokalli, shege, ftoi, dardhe etj., në logon “Eliksir”. Administratori i kompanisë thotë se për furnizimin me lëndë të parë bazohet te prodhimi i fermerëve në Dibër dhe Korçë. Z. Shehi thotë se nuk kanë pasur vështirësi në gjetjen e lëndës së parë, pasi shumica e prodhimit të fermerëve nuk shitet në treg pakice, pasi u mungon cilësia që kërkon tregu. “Pandemia ndikoi më tepër te mënyra se si prodhohet. Sot nuk prodhohet asgjë nëse nuk ke një kontratë me fermerin. Duhet ta porosisësh lëndën e parë një vit para dhe të kryesh pagesën. Më pas, për të mbledhur paratë e shitjes, të duhen 6 muaj nga prodhimi i lëngjeve të frutave. Tregu është në vështirësi”.

Shpëtim Oseku, nga grupi “Agro Iliria”, në fermën e Karavastasë, prodhon frutën goji berry (që eksportohet jashtë në paketim i tharë) dhe lëngun e shegës. Me pandeminë, kërkesa për lëngun e shegës është trefishuar krahasuar me 2019. Për këtë arsye, z. Oseku thotë se shtoi investimet për prodhimin e shegës. “Në fermë prodhohet fruta e shegës, kurse në fabrikën e Dibrës dhe Korçës përpunohet shega për marrjen e lëngut. Parashikojmë që në vitin 2022 të nisim investimin për ngritjen e fabrikës që do të kryejë vetë procesin e përpunimit të frutave për nxjerrjen e lëngut.

Projekti parashikon zgjerimin e fermës për kultivimin e shegës. Vjelja e shegës nis në shtator dhe ne parashikojmë 1 mijë ton prodhim. Ndërkohë jemi të shqetësuar se si do jetë ecuria e shitjes së shegës që vjen nga importi, ku konkurrenti më i fuqishëm është Turqia. Me nisjen e pandemisë, po vuajmë edhe rritjen me 30% të imputeve bujqësore, gjë që ka ndikuar në rënien e prodhimit. Situata sa vjen dhe vështirësohet dhe për imputet bujqësore po vihet në diskutim sigurimi i tyre dhe jo vetëm çmimi”, tha z. Oseku.

Lexo më shumë  Jashari dhe komandanti i kontingjentit turk flasim për zhvillimin e FSK-së

Shpopullohen fshatrat, largohet krahu i punës

Ikin punëtorët shqiptarë dhe vijnë të huajt është shqetësimi kryesor i një ndër prodhuesve të lëngjeve të frutave. Mungesa e krahut të punës dhe vështirësia për të gjetur punonjës në zonat larg tokës ku kultivohen frutat aktualisht është shqetësimi më i madh i Shpëtim Osekut, përfaqësuesit të grupit “Agro Iliria”. Në fermën që ndodhet në zonën e Karavastasë janë mbjellë 44 mijë rrënjë shege. Mbledhja e tyre ka nisur nga muaji qershor dhe përfundon në tetor, por në këtë zonë nuk ka më punëtorë.

“Në fshat nuk ka më banorë, të gjithë kanë emigruar jashtë ose drejt qytetit. Në periudhën e pandemisë u ndie edhe më shumë mungesa e punëtorëve. Jam i detyruar që kur nis sezoni i vjeljes së frutave të marr punëtorë që jetojnë 70 kilometra larg fermës. Kjo rrit kostot, pasi transporti i çdo punëtori në ditë kushton 400 lekë + 1,200 lekë/dita paga e tij. Për ne është e domosdoshme që këtë boshllëk të madh te krijuar te fuqia punëtore ta plotësojmë me punëtorë nga Bangladeshi, Filipinet apo Tajlanda”.

Kontratat e prodhimit me fermerin nuk janë të sigurta

Prodhuesit shprehen se kur vjen puna te problemet, ato janë të natyrave të ndryshme. Të bësh biznes në Shqipëri nuk është edhe aq e thjeshtë dhe në disa raste, kjo lidhet me elemente që jashtë nuk perceptohen. Përfaqësuesi i kompanisë “Frut Kop”, z. Namik Shehi, thotë se për shembull kontratat për blerjen e prodhimit nga fermeri nuk janë të siguruara, pasi nuk ka ndërhyrje nga shteti në rolin e rregullatorit. Sipas tij, kjo rrezikon edhe më shumë aktivitetin e sektorit.

“Nëse ke porositur për të blerë mall nga fermeri dhe gjatë vitit bie breshër apo ndonjë sëmundje, nuk realizohet prodhimi, ai nuk kompensohet nga shteti për humbjen e prodhimit. Nëse p.sh. bëj një kontratë për blerjen e 200 tonë frutave dhe, nga ana tjetër, bëj kontratën për shitjen e 100 tonë lëngjeve. Në momentin që ke bërë kontratën dhe më pas nuk arrin të realizosh porosinë, biznesit me të cilin ke bërë kontratën e shitjes së lëngut të frutave duhet t’i paguash fitimin e munguar. Në Shqipëri, nocioni i kontratës është abstrakt, pasi shteti nuk luan rolin rregullator të mbrojë fermerin kur humbet prodhimin”.

Industrialistët e përpunimit të frutave i konsiderojnë abuzive edhe skemat e bujqësisë. “Skema e fundit që kam aplikuar ka qenë në 2015-n me thirrjet e IPARD. Më pas nuk kemi aplikuar, pasi nuk janë transparente. Te skema e rimbursimit të naftës, nuk aplikuam, pasi tarifa për nxjerrjen e certifikatës së tokës ishte 3,500 lekë, ndërkohë që ky dokument ekziston online. Nga ana tjetër, përveç kostove që duhet të shpenzosh për nxjerrjen e dokumenteve që shteti i disponon online, skema është e limituar për numër të lartë aplikuesish, gjë që mund të rrisë premisat e korrupsionit”, nënvizon administratori i “Kop Frut”.

Eksportet

Eksportet e lëngjeve të frutave në 2020 shënuan një total prej 921 hl. Krahasuar me vitin 2019, eksportet ranë 29%. Ecuria e 2021 parashikohet të jetë pozitive krahasuar me shifrat e 6-mujorit. Eksportet për 6-mujorin e parë të 2021 janë rritur 70% në raport me të njëjtën periudhë të 2020.

Edhe parashikimet për eksporte të industrialistëve janë pozitive. Drejtoresha e përgjithshme e kompanisë “Canaj”, e cila zotëron fabrikën e përpunimit të frutave në Tamarë, thotë se aktualisht janë në fazën përfundimtare për nënshkrimin e marrëveshjeve për eksport, kryesisht nga vendet e rajonit, BE-së dhe me kompani nga kontinente të tjera.

Shpëtim Oseku, zotëruesi i fermës në Karavastanë e Re, thotë se shumë shpejt parashikon nisjen e eksportit të lëngut të shegës në rajon. “Për kontinente larg Europës është ende i pamundur të realizohet eksporti i lëngut të frutave, për shkak të çmimit të lartë të transportit. Nëse para pandemisë, transporti për 1 kontejner kushtonte 2 mijë dollarë për në SHBA, aktualisht ka arritur deri në 13 mijë dollarë”. Në rritje për 6-mujorin e parë të këtij viti ishin dhe importet e lëndëgjeve të frutave, si rrjedhojë e përmirësimit të konsumit pas pandemisë.

Goji berry, kultura që po shkon drejt zhdukjes

Grupi “Agro Iliria” kultivon prej vitesh edhe frutën e goji berry-t. Administratori Shpëtim Oseku thotë se kjo frutë nuk tregtohet në tregun e brendshëm, pasi konsumatori vendas nuk e njeh dhe çmimi është i shtrenjtë. Sipas tij, deri tani, bima është eksportuar e tharë në Europë. Kompania shqiptare po përballet me probleme nga konkurrenca e mallrave kineze dhe tajlandeze te goji berry-t. Z. Oseku thotë se shitjet kanë rënë dhe nëse ende do të vijojë tkurrja e kërkesës, parashikohet që kjo bimë të mos kultivohet.

“Këto shtete e shesin më lirë paketimin e tharë, pasi bimën e korrin me autokombajnë dhe kanë kosto shumë herë më të ulët se ne. Parashikoj të hyj në tregun europian në bashkëpunim me një kompani angleze dhe një grup spanjoll me paketim të ngrirë të kësaj frute (aziatikët e trajtojnë si grurë dhe teknika për paketimin e ngrirë te goji berry-t është e paarritshme për ta pasi nga korrja frutat çahen).

Nëse ky investim nuk realizohet, paketimin e tharë parashikoj ta ndërpres, pasi goji berry aziatik nuk mund të konkurrohet nga kostoja e prodhimit. Nëse prodhimi ndërpritet, parashikohet që humbjet të jenë 1 milion euro. Pas kësaj, kultivimi do të fokusohet vetëm te shega dhe do të nis edhe kultivimin e rrushit”./MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *