Gjermania kritikon Izraelin që e shpalli “non grata” shefin e OKB-së
Gjermania thotë se vendimi i Izraelit për t’ia ndaluar hyrjen sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, nuk është i dobishëm, shkruan agjencia “AP”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e shpalli të mërkurën Guterresin “persona non grata”, duke thelluar një përçarje tashmë të gjerë mes Izraelit dhe OKB-së. Gjermania, aleate e vendosur e Izraelit, kritikoi vendimin.
“Nuk është veçanërisht e dobishme, sepse në fund nevojiten më shumë bisedime dhe jo më pak bisedime”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Sebastian Fischer.
Gjermania po ashtu ka thirrur për diskutim të ngarkuarin me punë të Iranit në Berlin për të protestuar kundër sulmit me raketa ndaj Izraelit. Po ashtu për t’i kërkuar Teheranit dhe aleatëve të tij të përmbahen nga sulmet të mëtejshme. Austria po ashtu në mënyrë të ngjashme ka ftuar të ngarkuarin me punë të Iranit në Vjenë.
Rruga Press