Presidentja Osmani dhe Roth diskutojnë për Procesin e Berlinit dhe dialogun
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë pune në Gjermani ka takuar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman Michael Roth.
Në takim është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë e më gjerë.
Në njoftim thuhet se Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Deputetit Roth dhe në përgjithësi të Bundestagut gjerman për aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe theksoi rëndësinë e rolit të shtetit gjerman në këtë proces.
“Gjermania ka qenë një aleate tradicionale e popullit të Kosovës dhe ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje në përpjekjet tona për ta forcuar praninë dhe partneritetin tonë ndërkombëtar”, ka theksuar presidentja Osmani.
Osmani dhe Roth, ndër të tjera diskutuan edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast presidentja ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.
“Një pjesë e diskutimit në takim u fokusua edhe në procesin e dialogut me Serbinë,” thuhet në njoftimin e presidencës.
Rruga Press