Taravari mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Kryetari i ASH-së dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë mbi Rezistencën Antimikrobike 2024 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në fjalimin e tij në sesionin e 79-të para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri Taravari theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj luftës kundër kërcënimit global të rezistencës antimikrobike si një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor pas pandemisë COVID-19.
Taravari riafirmoi angazhimin për respektimin e Rezolutës 71/3 të OKB-së dhe zbatimin e udhërrëfyesit të OBSH-së për periudhën 2023-2030, duke përmendur disa arritje të Maqedonisë së Veriut si mbikëqyrjen e RAM-it, ndërgjegjësimin për përdorimin e antibiotikëve dhe forcimin e kapaciteteve laboratorike, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje multisektoriale të emëruar “Një Shëndet” që përfshin shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit jetësor.
Me këtë rast ministri Taravari bëri thirrje për bashkëpunim global për të luftuar Rezistencën Antimikrobike për të mbrojtur shëndetin e gjeneratave të ardhshme.
“Derisa përgatitemi për Konferencën e 4-të Ministrore për Rezistencën Antimikrobike në nëntor 2024, ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve të të gjitha shteteve anëtare këtu që të bashkohen në përpjekjet tona kundër RAM-it. Së bashku, ne mund të mbrojmë shëndetin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”, tha Taravari.
Rruga Press