Kurti takon homologun e tij nga Vanuatu
Kryeministri Albin Kurti, u takua në Nju Jork me kryeministrin e Vanuatu, Charlot Salwai, në kuadër të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ata diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në tregti, shkëmbime kulturore dhe edukim si dhe për politikat e dy vendeve në përballje me ndryshimet klimatike.
“Kryeministri trajtoi dhe avancimin e shtetit tonë në tri vitet e fundit, politikat e ndërmarra në sektorë kyçë dhe perspektivën për të ardhmen. Ai nënvizoi sundimin e ligjit, sigurinë, luftimin e korrupsionit dhe iniciativat në fushën e diplomacisë, e për të cilat shprehu gatishmërinë e Kosovës që të ndajë përvojat respektive përmes trajnimeve dhe akademive në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Duke shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për më shumë shkëmbime mes dy vendeve tona, kryeministri Kurti e falënderoi kryeministrin e Vanuatu Charlot për takimin dhe bisedën.