Kryeministri Kurti pritet në New York nga princi i Kuvajtit, i ftoi që të vijnë të investojnë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në New York nga Princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë takim, Kryeministri Kurti shoqërohej nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.
“Kryeministri Kurti dhe Princi i Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, biseduan rreth fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit e rritjes së investimeve”, njofton qeveria.
Sipas njoftimit, fillimisht në emër të Republikës së Kosovës, kryeministri e falënderoi Kuvajtin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë.
“Në vijim, teksa u trajtua progresi që ka njohur Kosova në vitet e fundit, kryeministri përmendi indikatorët kryesorë të cilët pasqyrojnë zhvillimin ekonomik, si mesatarja prej 6.2% e rritjes ekonomike, e cila u përshëndet edhe nga Princi i Kuvajtit, duke e uruar vendin tonë për hapat zhvillimorë drejt avancimit ekonomik të vendit”, theksohet në njoftim.
Në takim u bisedua dhe mbi potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e ripërtëritshme, agrikultura e infrastruktura.
“Kryeministri Kurti i ftoi kompanitë kuvajtiane që të vijnë të investojnë e zgjerojnë fushëveprimtarinë e tyre edhe në Kosovë duke operuar në një ambient të sigurt të të bërit biznes si dhe shtoi mundësinë e mbajtjes së një forumi investitorësh për bizneset në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Rruga Press