KryesoreLajme

Analisti serb: Radoiçiq është vetë pushteti në Serbi, askush nuk mund ta nxjerr para gjyqit

Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Beograd, tha se autoritetet në Beograd po heshtin për konfliktin e armatosur në Banjskë, dhe se “Milan Radoiçiq në Serbi është vetë pushteti dhe deri më tani nuk kemi pasur ndonjë shembull që dikush nga pushteti të jetë gjykuar”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shtyrë sot seancën e parë për rastin Banjska bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 45 personave për terrorizëm dhe krime të rënda.

Duke folur për përvjetorin e Banjskës, Popoviq thekson për “N1“, se në Serbi nuk ka procedura të llogaridhënies ndaj Milan Radoiçiqit dhe se nuk do të ketë kurrë, përderisa siç thotë ai, institucionet janë kapur.

“Milan Radoiçiq është zyrtar i lartë i Partisë Përparimtare Serbe, ai është pjesë e qeverisë së Vuçiqit, ka qenë gjithmonë dhe nuk kam dyshim se është edhe sot, ndaj mendoj se atë duhet parë në atë kontekst. Ai është pjesë e nomenklaturës që sundon këtë vend. Ai është pushteti. Milan Radoiçiq është pushtet për neve dhe deri më tani nuk kemi parë shembuj të gjykimit të njerëzve në pushtet”, ka vlerësuar ai.

Popoviq vlerëson se është e pazakontë heshtja që erdhi nga Beogradi në përvjetorin e konfliktit të armatosur mes një grupi të serbëve dhe Policisë së Kosovës në fshatin Banjska të Zveçanit, ku mbetën të vrarë katër persona.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

“Arritëm deri në atë masë të normalizonim jonormalen dhe të mësoheshim me faktin se jonormalja është normalja e re, se nuk ka rëndësi që një grup njerëzish të armatosur kreu sulm në Banjskë, se vranë një polic, dhe se e tërë dita ishte një lloj situate gjysmë lufte, që e solli praktikisht të gjithë vendin në prag të luftës. Sipas të gjitha kritereve të  mundshme një gjë e madhe, për të cilën dikush duhet të japë përgjegjësi”, thekson ai.

Nga njëra anë, siç thotë ai, kemi Radoiçiqin, të cilit nuk i mungon asgjë dhe ndaj tij nuk po zhvillohet asnjë procedurë, dhe nga ana tjetër, kemi heshtjen e plotë të autoriteteve në Beograd.

“Po të mos ishin veprimet e autoriteteve të Prishtinës, të cilët po e bëjnë sërish për arsyet e tyre, nuk e di nëse dikush do ta kujtonte Banjskën”, theksoi ai.

Siç thotë ai, konflikti në Banjskë nuk është gjë e vogël për Evropën duke pasur parasysh se një rajon ishte në prag të luftës, por edhe Bashkimi Evropian “heshti” për këtë çështje.

“Njerëzit humbën jetën. Janë kaluar disa vija të kuqe. Megjithatë, siç e shihni, edhe nga ana e zyrtarëve të lartë të BE-së, nuk ka këmbëngulje të tepruar për ta shtyrë atë, për të vërtetuar përgjegjësinë penale. Radoiçiq pranoi, ekzistojnë video-incizime, dhe nuk ka shumë dyshime se kush e ka udhëhequr atë sulm. Pra, heshtja nga të gjitha anët na tregon se jemi larg një vendi normal”, saktëson ai.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Popoviq foli edhe për fjalimin e Vuçiqit në OKB.

“Më duket se askush nuk ka dilemë se fjalimi i presidentit të Serbisë në OKB është i dedikuar ekskluzivisht për opinionin vendor”, vlerëson Popoviq.

“Dhe jo për të gjithë publikun, por për votuesit e tij. Mendoj se kjo është pjesë e gjithë politikës që ai e ka ndërtuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë dhjetë viteve të fundit, ku po përpiqet të prezantohet si një lloj Tito i vogël, kurse Serbia si një version shumë i reduktuar i RSFJ-së. Dhe ku ne tani kemi një lloj roli të rëndësishëm, ku mund të ulemi në dy karrige ose të balancojmë në mes Lindjes dhe Perëndimit. Pra, sigurisht që e gjithë kjo ka pak lidhje me realitetin, por sigurisht që ka një ndikim në elektoratin e tij, para së gjithash”, shpjegon ai.

Siç thekson ai, presidenti po u drejtohet zgjedhësve të tij dhe po dërgon një mesazh se ai është një lider i madh që duhet t’i qëndrojnë prapa.

“Se ai është ai që tani po lufton atje me Amerikën, me Rusinë, me fuqitë e mëdha dhe në Kombet e Bashkuara. Pra, është një farsë që shërben si një lloj marketingu politik, si çdo gjë tjetër që ai bën”, përfundon ai.

YouTube player